Nëse nuk ndodhin parregullsi zgjedhore, dita e zgjedhjeve më 28 dhjetor mund të karakterizohet edhe nga ndërprerje të energjisë elektrike.
Gjatë mbledhjes së mbajtur të premten, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) shprehu shqetësim lidhur me ndikimin që një ndërprerje e mundshme e energjisë mund të ketë në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Sipas të dhënave të KQZ-së, nga 948 qendra votimi që do të jenë të hapura të dielën, 888 mund të përballen me ndërprerje të furnizimit me rrymë.
Anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Ilir Gashi, tha se kjo situatë është shumë shqetësuese për procesin zgjedhor:
“Një raport të cilin ju na keni dërguar, për mua është shumë shqetësues, për faktin se ka paralajmërime se diku në 888 qendra votimi mund të mos ketë energji elektrike. Kjo s’do të thotë që ndoshta tërë ditën, por në këto qendra në bazë të informatave dhe raportit që posedojmë dhe për më keq, 666 prej tyre paraqesin rrezikshmëri të lartë që potencialisht nuk do të ketë energji elektrike”, tha Gashi në mbledhjen e KQZ-së.
Ndërkohë, ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, shprehu shpresën që të mos ketë ndërprerje të energjisë, por theksoi se kjo varet nga konsumi në ditën e votimit. Ai vuri në dukje se gjysma e qendrave të votimit nuk kanë alternativa të tjera të furnizimit me energji:
“Pika më problematike në tërë territorin e Republikës së Kosovës është Rahoveci, e cila e shpërndan energjinë edhe për Komunën e Malishevës. Janë dy komuna që janë shumë problematike, edhe është qendra e Prizrenit, ku transmisioni i cili e furnizon Prizrenin, e furnizon edhe komplet Komunën e Dragashit. Këto janë dy shqetësimet më të mëdha të KOSTT-it sa i përket transmisionit”, tha Buzhala, duke njoftuar për takimin me përfaqësuesit e KEDS-it dhe planin operativ që i është komunikuar nga ata.
Pas takimit me KQZ-në, KEDS-i ka dhënë zotimin se do të sigurojë furnizim të qëndrueshëm me energji gjatë ditës së zgjedhjeve:
“Do të angazhohen gjithsej 1,049 punëtorë, të organizuar në 140 ekipe në mbarë vendin. Në secilin vendvotim do të ketë një ekip në afërsi, për intervenim të shpejtë në rast të ndonjë prishjeje të mundshme, do të funksionojë një komision qendror teknik për monitorim dhe koordinim në kohë reale, ekipet teknike do të jenë në gatishmëri të plotë gjatë gjithë ditës së votimit, kapaciteti i plotë logjistik dhe mbështetja IT do të jenë në dispozicion për mbarëvajtjen e procesit”.
Disa komuna të Kosovës kanë përjetuar reduktime të energjisë elektrike ditëve të fundit, dhe sipas Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, ndërprerja e rrymës ka qenë pasojë e mbingarkesës./Lajmi.net/



