Janë vetëm 10.483 persona që i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës së Komunës së Prishtinës nga mbi 50 mijë të regjistruar, raporton 038 i KTV-së. Kjo është informata e vetme që e kanë dhënë në Zyrën për Media në këtë komunë.
Kjo shifër është e ulët për kryeshefin e kompanisë “Pastrimi”, Feim Salihu.
“Fakti që fatura është si këst dhe brenda janë 3 muajve do të bëjë që më pak qytetarë të paguajnë, sikur faturat të dërgoheshin për çdo muaj, inkasimi do të ishte më i lartë”, ka thënë Salihu, i cili ka shtuar se derisa ata grumbullonin paratë mbi 40 mijë qytetarë paguanin faturat për çdo muaj.
“Në këtë ka ndikuar edhe fakti që ne kemi pasur 6 pika, ku qytetarët mund të paguajnë dhe për më tepër, kemi shkuar për të kërkuar borxhin edhe nëpër shtëpi”.
Salihu megjithatë, ka thënë se deri më tash, komuna e Prishtinës u ka paguar atyre dy këste, sipas kontratës që kanë lidhur bashkë.
Ndërkohë, për të rritur numrin e paguesve të faturave, komuna pritet që nga kësti i tretë, që nis më 1 korrik, të detyrojë qytetarët të paguajnë duke i kushtëzuar me regjistrim të automjeteve.















