back to top
Wednesday, July 23, 2025
BallinaLajmeLajmet e FunditKosova ndalon importin e derrave dhe produkteve të tyre nga Kroacia

Kosova ndalon importin e derrave dhe produkteve të tyre nga Kroacia

Të ngjajshme

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka marrë vendim për ndalimin e përkohshëm të importit të derrave, produkteve dhe nënprodukteve të tyre nga Kroacia, pas konfirmimit të sëmundjes Mortaja Afrikane e Derrave (MAD) në regjionet Osjecko-Baranjska dhe Vukovarsko-Srijemska të Kroacisë.

Ky vendim hyn në fuqi nga data 23 korrik 2025, në mbështetje të Ligjit për Veterinarinë dhe ka për qëllim parandalimin e përhapjes së sëmundjes në territorin e Kosovës.

Autoritetet kufitare që veprojnë në kuadër të Menaxhimit të Integruar të Kufirit – Policia e Kosovës, Dogana dhe AUV – kanë ngritur nivelin e kontrollit në të gjitha pikat kufitare, për të ndaluar hyrjen e çdo lloji malli që bie në kategorinë e ndaluar.

AUV bën të ditur se aktualisht në Kosovë nuk ka asnjë rast të dyshuar dhe se janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës. Inspektorët veterinarë dhe praktikat private veterinare janë në terren për të parandaluar çdo shpërthim të mundshëm.

Mortaja Afrikane e Derrave është një sëmundje virale ngjitëse, që prek vetëm derrat e butë dhe derrat e egër, por nuk përbën rrezik për shëndetin e njeriut. Sëmundja përhapet me shpejtësi të madhe përmes kontaktit direkt midis kafshëve, pajisjeve, ushqimit dhe lëvizjes së njerëzve nga ferma në fermë. Ajo ka letalitet deri në 100% dhe konsiderohet sëmundje me ndikim të lartë ekonomik.

AUV siguron qytetarët se situata në vend është nën kontroll, falë monitorimit të rreptë dhe veprimeve të shpejta parandaluese.

- Advertisement -

Të Fundit