back to top
Wednesday, August 27, 2025
BallinaLajmeKosova e Serbia në telashe të veta, emisari Sorensen po përpiqet të...

Kosova e Serbia në telashe të veta, emisari Sorensen po përpiqet të krijojë atmosferë dialogu – çfarë u tha në Beograd

Të ngjajshme

Diplomatit danez Peter Sorensen i kaloi thuajse gjysma e mandatit pa e ndërmjetësuar një takim të nivelit të lartë Kosovë-Serbi bashkë me shefen e tij, Kaja Kallas. Zgjedhjet në Kosovë – që s’prodhuan institucione në kohë – dhe protestat në Serbi stopuan procesin e dialogut edhe ashtu të ngecur. Këtë muaj, Sorensen u angazhua me takime të liderëve në Prishtinë e Beograd. Krerët kosovarë i takoi në fillim të gushtit, ndërsa ata serbë i la në fund të muajit. Vizitën në kryeqytetin serb e mbylli me paralajmërimin për “takime të ardhshme të dialogut”.

Gazeta Express

Emisari për dialogun Peter Sorensen dje ka përmbyllë një vizitë në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryediplomatin serb Marko Gjuriq, ministrin për Integrime Europiane, Nemanja Staroviq, si dhe kryenegociatorin Petar Petkoviq. Takimet me zyrtarët serbë, Sorensen i zhvilloi 20 ditë pas takimeve që pati në Prishtinë.

Në një postim në X, Sorensen tha se në Beograd qëndroi për bisedime përgatitore për takime të ardhshme të dialogut, ndërsa tha se dëgjoi bashkëbiseduesit me vëmendje dhe se ia ka theksuar atyre normalizimin

“Pas vizitës sime në Prishtinë në fillim të gushtit, sot isha në Beograd për bisedime përgatitore përpara takimeve të ardhshme të dialogut. I dëgjova me kujdes interlokutorët e mi dhe theksova rëndësinë e normalizimit për hir të njerëzve në terren”, ka shkruar Sorensen.

Në anën tjetër, Vuçiq tha se në takimin me Sorensenin foli për “sfidat me të cilat përballemi kur bëhet fjalë për pozicionin e popullit serb” dhe për “detyrimin” që ka Kosova për themelimin e Asociacionit.

“Unë theksova se është thelbësore që dialogu të kthehet te parimet themelore mbi të cilat bazohet, kryesisht në detyrimin për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe , si dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve tanë në Kosovë”.

Vuçiq s’e lëshoi rastin që mysafirit europian t’i ankohej për përpjekjet për ndalimin e Listës Srpska, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë të cilës ai i jep mbështetje, për të marrë pjesë në zgjedhjet e 12 tetorit.

“Përpjekja për të ndaluar pjesëmarrjen e Listës Srpska në zgjedhjet e ardhshme konfirmon edhe një herë se respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të veprimit politik të serbëve në Kosovë është në rrezik”, shkroi Vuçiq në Instagram.

Më pas, Vuçiq pretendoi se politika e tij është “një politikë paqeje, e përkushtuar fort për të kërkuar zgjidhje kompromisi përmes dialogut”, por edhe për “një luftë vendimtare dhe të përgjegjshme për të ruajtur interesat shtetërore dhe kombëtare”.

Kreu i shtetit serb tash më shumë se tetë muaj po përballet me protesta dhe bllokada të udhëhequra nga studentët në Serbi. Kërkesa kryesore është përcaktimi i përgjegjësisë politike dhe penale për vdekjen e 16 personave nga shembja e strehës prej betoni në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad.

Nuk dihet nëse Bashkimi Europian do t’i organizojë këto takime të paralajmëruara nga Sorensen para se Kosova të ketë një qeveri legjitime për të marrë pjesë në tavolinën dialoguese në Bruksel.

Me zgjedhjen e Dimal Bashës kryeparlamentar pati shpresa që konstituimi i stërzgjatur i Kuvendit do të përfundojë, por ngërçi nisi të krijohej prapë për shkak se partitë politike në Parlament nuk votuan pro kandidatit të propozuar nga Lista Srpska për nënkryetar – një post që i takon me Kushtetutë komunitetit serb në Parlament – pasi u nda nga zgjedhja e nënkryetarit të komuniteteve joshumicë joserbe.

Lëvizja Vetëvendosje votoi kundër, ndërsa pati përpjekje që ta bëjë Nenad Rashiqin nënkryetar. Megjithatë, Rashiq, i cili s’mori votat pro të partive të tjera në Parlament pasi u kalua në formatin e shortit për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Në fillim të gushtit, Sorensen qëndroi në Kosovë ku u takua me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, kryeministrin në detyrë Albin Kurti, si dhe tre krerët e partive parlamentare, PDK, LDK dhe AAK.

Sorensen vizitën në Kosovë e kishte cilësuar si produktive derisa ishte më i zëshëm në theksimin e rëndësisë së zbatimit të marrëveshjes së Ohrit.

“Në të gjitha takimet e mia, theksova nevojën urgjente për të zbatuar Marrëveshjen e Ohrit, tani më shumë se kurrë. Rruga drejt integrimit kalon përmes përparimit domethënës në Dialog. Është koha për të ecur përpara”, kishte shkruar atëherë Sorensen.

Me këtë rast ai kishte përmendur edhe vonesat e mundshme duke thënë se “gjërat mund të marrin kohë”.

“Jam këtu për shkak të mandatit tim, për të diskutuar se si t’i zbatojmë marrëveshjet, sepse situata politike këtu nënkupton që gjërat mund të marrin më shumë kohë. Kështu që ky është një takim i rregullt. Jam i lumtur që jam këtu”, kishte thënë shkurt Sorensen para gazetarëve.

Diplomati danez nisi punën si emisar i dialogut Kosovë-Serbi më 1 shkurt dhe fokusi i tij primar iu caktua të jetë zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit. Ai ka një mandat fillestar prej 13 muajsh, ndërsa për këta muaj s’ka pasë ndonjë lloj përparimi drejt zbatimit të kësaj marrëveshje nga palët.

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz