Shkruan: Mergim Lushtaku – Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës
Pas përfundimit të luftës së dytë botërore, vendet e Evropës ende ishin të përqara mes tyre. Në këtë situatë duhej të levizej përpara, të bashkëpunohej ekonomikisht, që e kaluara mos ta mbante peng të ardhmen. Në këtë kuadër, Gjermania, Franca, Italia bashkë me shtetet e Beneluksit filluan bashkëpunimin mes tyre fillimisht në fushën e çelikut dhe thengjillit e pastaj në fusha të tjera.
Ky bashkëpunim më kohën është zgjeruar dhe është thelluar duke përfshirë edhe shumë shtete të tjera në Europës. Janë bërë shumë traktate të reja me qëllim që t’i përshtaten ndryshimeve të rrethanave. Sot, Bashkimi Evropian numëron 28 shtete anëtare të Regjionit gjeografik të Evropës. Këto shtete janë nga rajone të ndryshme të Evropës pasi në BE mund të përfshihen shtetet që janë në hapësirën gjeografike të Evropës. Kosova, që nga paslufta e tutje, ka synuar që të bëhet pjese e BE-së.
Me krijimin e shtetit tonë, nga zyrtarët e BE-së është premtuar perspektiva Evropiane e Kosovës. Duke shikuar në dy aspekte, Kosova i plotëson dy atribute bazike që e bëjnë të pashmangshëm integrimin në BE. E para është shtrirja gjeografike në hapsirën e Europës Juglindore dhe e dyta është emancipimi i qytetarëve të Kosovës dhe vetëdija e lartë kulturore e popullit të Kosovës.
Ne si popull lehtë mund të përshtatemi me shoqëritë e Evropës Perëndimore. Kjo dëshmohet me numrin e lartë të qytetarëve të Kosovës që jetojnë dhe veprojnë në shtetet e BE-së. Ata përshtaten shkelqyeshëm me kulturën përendimore dhe janë integruar në këto shoqëri. Në çështje shumë e debatushme kohët e fundit është liberalizimi i vizave për Kosovën. Kosova ka kohë që ka plotësuar kriteret e kërkuara nga BE-ja por kjo çështje është politizuar tepër shumë sa që është shndërruar në absurd. Liria e lëvizjes është një prej shtyllave fundamentale mbi të cilat është ngritur Bashkimi Evropian.
Është shumë e padrejtë që kjo liri e lëvizjes tu mohohet qytetarëve të Kosovës edhe pas plotësimit formal të 95 kritereve të kërkuara nga BE. Tashmë e gjitha varet nga vullneti i institucioneve të BE-së. Studentët që dëshirojnë të studiojnë në BE dhe qytetarët që dëshirojnë të vizitojnë këto shtete, nuk mund të mbeten peng i askujt pasi kjo po shndërrohet në padrejtësi historike.
Ne si shoqëri me padurim po presim nga BE që të qartësojë edhe më shumë rrugën e integrimit në familjen e tyre edhe për Kosovën pasi e meritojmë të jemi pjesë e saj si dhe të heqë regjimin e vizave për qytetarët tanë.