Komuna e Skenderajt “përvjel mënget”, dënon bizneset që shisnin produkte me afat të skaduar (FOTO)

Gjatë ditës së sotme Inspekcioni i Komunës së Skenderajt ka shqiptuar dënime për marketet që shisnin produkte me afat të skaduar dhe biznese që nuk respektojnë orarin e përcaktuar, shkruan Drenica Press.
Me këtë rast Komuna e Skenderajt ka bërë thirrje që qytetarët të lajmërojnë në rast se hasin në produkte të skaduara apo abuzim me çmime të produkteve.
Lidhur me këtë rast Komuna e Skenderajt tha se: “Interesi i qytetarëve mbi të gjitha! Pas ankesave të qytetarëve ndaj bizneseve që operojnë në qytetin tonë, rreth produkteve ushqimore me afat të skaduar dhe respektimit të orarit të shërbimit, Drejtoria e Inspekcionit ka ndërmarrë veprime të duhura, duke u shqiptuar gjoba, pasi janë konstatuar shkeljet.

Lexo edheParalajmërohet një variant i ri i COVID-19, quhet “Motra e Omicronit”
Kësisoj, është vërtetuar se njëri nga bizneset në Skenderaj, ka shitur produkte ushqimore me afat të kaluar, kurse një barnatore në qytet nuk ka respektuar orarin e punës, si dhe është konstatuar se ka abuzuar me çmime të produkteve farmaceutike.
Komuna e Skenderajt është e angazhuar të ruhet shëndeti i qytetarëve, sa u përket produkteve ushqimore që konsumojnë qytetarët, dhe nuk do të bëjë tolerime në këtë aspekt. Edhe sa u përket barnatorëve, do të këtë mbikëqyrje nga inspektorët kompetentë, pasi qytetarët janë ankuar për abuzime të çmimeve të barërave.
Komuna e Skenderajt fton të gjithë qytetarët që ballafaqohen me rastet abuzive të çmimeve dhe parregullsi të tjera, t’i denoncojnë tek Drejtoria e Inspekcionit dhe inspektorët e saj.















