Nga data 16 korrik e deri me 16 gusht komuna e Skenderajt do të organizojë për muajin e diasporës, me aktivitete të shumta kulturore, argëtuese e sportive për mërgimtarët e shumtë që po vijnë në Kosovë.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari.
Lexojeni të plotë njoftimin e kryetarit Jashari:
Të nderuar qytetarë të komunës së Skenderajt,
E dashur diasporë,
Pas një periudhe të vështirë pandemike, e cila pamundësoi ardhjen tuaj në vendlindje dhe pritjen dinjitoze për ju, këtë vit po e vazhdojmë traditën e pritjes me zemër për ju që mbani gjallë ekonominë, familjet dhe shtetin tonë.
Nga data 16 korrik e deri me 16 gusht do të organizojmë për ju muajin e diasporës, me aktivitete të shumta kulturore, argëtuese e sportive.
Në sheshin “Adem Jashari”, do të ofrojmë mbrëmje muzikore me këngëtarët më eminent të estradës sonë, në shenjë falënderimi e mirënjohje për bashkëqytetarët tonë që jetojnë në diasporë, për kontributin e jashtëzakonshëm dhënë në luftën tonë të përbashkët për liri e Pavarësi dje dhe rritjen e zhvillimit ekonomik të shtetit tonë sot.
Mirë së vini diaspora jonë, Ju presim me zemër!