Komuna e Skenderajt në hall me policinë, neglizhohet gjendja me COVID dhe djegien e pyjeve

Komuna e Skenderajt deri më sot nuk ka pasur asnjë person të infektuar me virusin vdekjeprurës COVID 19, ndërsa sot në orët e mbrëmjes janë konfirmuar dy rastet e para. Në fshatin Burojë të Skenderajt në lagjen Thaçi, nënë e bijë kanë rezultuar pozitive me koronavirus.
Për “Zëri.info”, kryetari i komunës Bekim Jashari, e konfirmoi se këto dy raste janë raste kontakti nga një mysafir nga Prishtina.
Ndër të tjera kryetari i kësaj komune po ashtu për “Zërin”, ka folur edhe në lidhje me neglizhencën që po bëhet nga ana e policisë në këtë komunë, të cilët nuk po i përfillin masat e ndërmarra nga komuna e po ashtu edhe nga Qeveria e vendit.
Jashari i pyetur pse po lejohet një qarkullim i lirshëm i qytetarëve në Skenderaj, ka thënë se kjo po ndodhë pas neglizhencës së policisë, kështu duke shpalosur edhe një problem tjetër me të cilin po përballen si komunë.
Djegia e pyjeve është problemi i cili e shqetëson Jasharin dhe qytetarët e kësaj komune, e që në fakt Policia në Skenderaj duke pasur informata për personat që po kryejnë veprën nuk po marrin masa e as nuk po i arrestojnë ata persona.
“Ne masat i kemi ndërmarrë është dhënë edhe vendimi nga ana e qeverisë për oraret e lëvizjes së qytetarëve, në mënyrë që të mbrohen nga virusi Covid 19, por policia janë duke bërë neglizhencë në këtë drejtim, edhe në lidhje me identifikimin e personave që po na i djegin pyjet.”, ka deklaruar Jashari për “Zërin”.

Lexo edheJashari tregon si një mysafir nga Prishtina i infektoi me koronavirus nënë e bijë nga Skenderaj
LEXO EDHE: Flet Bekim Jashari, tregon si infektoi mysafiri nga Prishtina dy persona në Burojë
Jashari po ashtu ka treguar për kërkesën që ka bërë në nivelin Qendror të Policisë së Kosovës për mbështetje në këtë aspekt.
Në lidhje me deklarimet e tij, se policia në Skenderaj po neglizhon shumë raste ku shkelet vendimi për qarkullim e po ashtu edhe në rastin e djegieve të pyjeve thotë se ka fakte dhe informacione për këto.
“Neve nau duhet mbështetje nga niveli qendror i Policisë në Prishtinë sepse në Skenderaj është duke u bërë neglizhencë nga policia. Unë i kam informacionet që policia kanë informata për personat që po djegin pyet ndërsa nuk po ndërmarrin asgjë, krejt kjo për shkak se po ndikon “njoftësia” në mes tyre me personat që po na dëmtojnë, për këtë arsye kam kërkuar mbështetje nga niveli qendror në Prishtinë“, përfundoi Jashari./ZËRI














