Qeveria e Kosovës ka rënë dakord me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian për mënyrën e zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet, pas një takimi të zhvilluar në Prishtinë mes kryeministrit Albin Kurti dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen.
Sipas përfaqësuesve evropianë, qëllimi i marrëveshjes është të sigurohet që zbatimi i ligjeve të mos shkaktojë ndërprerje të shërbimeve publike, veçanërisht në sektorët e arsimit dhe shëndetësisë. Sørensen theksoi se një nga prioritetet kryesore është që punëtorët dhe studentët të pajisen me dokumente të përkohshme për të vazhduar aktivitetet e tyre, transmeton lajmi.net.
“Në këtë kontekst, ne e konsiderojmë këtë si një përparësi kryesore që Qeveria e Kosovës të sigurojë leje qëndrimi për punëtorët dhe studentët e interesuar për një periudhë fillestare prej dymbëdhjetë muajsh, me qëllim parandalimin e çdo ndërprerjeje të shërbimeve shëndetësore dhe arsimore”, ka thënë ai.
Ai shtoi gjithashtu se BE-ja ka kërkuar që përkohësisht të pranohen edhe dokumente identifikimi të lëshuara nga Serbia për qytetarët që jetojnë në Kosovë, në mënyrë që të lehtësohen procedurat administrative gjatë procesit të regjistrimit civil.
“Për të siguruar që shërbimet të mos ndërpriten, BE-ja i kërkon Kosovës të lejojë përdorimin e lejeve të njoftimit të lëshuara nga Serbia jo më vonë se 15 marsi 2026 për ata që jetojnë në Kosovë, si mjet identifikimi për proceset administrative. Në të njëjtën kohë, qeveria e Kosovës duhet të regjistrojë individët e pranueshëm në Sistemin Qendror të Regjistrit të Gjendjes Civile të Kosovës sipas Ligjit të Kosovës në përputhje me faktet e tyre të Gjendjes Civile”, ka shtuar ai.
Pas këtij propozimi, kryeministri Kurti konfirmoi se Qeveria e Kosovës do të ndërmarrë masa praktike për të mundësuar regjistrimin dhe pajisjen me leje të përkohshme qëndrimi për qytetarët që nuk posedojnë dokumente të Kosovës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës poashtu do të hapë një dritare të re 3 mujore për të mundësuar qytetarëve të nacionalitetit serb të regjistrojnë faktet civile të cilat deri me datën 15 mars 2026 janë regjistruar nga strukturat ilegale. Në këtë periudhë, aplikantëve do i lejohet edhe përdorimi, ekskluzivisht si mjet identifikimi i ID kartës të lëshuar nga strukturat jolegale. Ministria e Punëve të Brendshme do të nxjerrë udhëzime të detajizuara që mundësojnë regjistrimin e këtyre fakteve brenda Sistemit Qendror të Regjistrit Civil të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Kurti.
Ai bëri të ditur gjithashtu se institucionet do të marrin nga autoritetet lokale listat e stafit akademik dhe shëndetësor që ofrojnë shërbime për komunitetin serb, në mënyrë që ata të pajisen me leje të përkohshme qëndrimi.
“Ministria e Punëve të Brendshme do ju ofrojë leje të përkohshme të qëndrimit me afat 12 mujor, me mundësi vazhdimi në rast të vazhdimit të studimeve. E njëjta procedurë aplikohet edhe për aplikantët e rinj që regjistrohen në vitet e mëvonshme akademike”, tha ai.
Në të njëjtën konferencë për media mori pjesë edhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, i cili tha se marrëveshja është rezultat i bisedimeve intensive të zhvilluara me Qeverinë e Kosovës gjatë javëve të fundit.
Ligji për të Huajt dhe ai për Automjetet pritet të hyjnë në fuqi plotësisht nga e diela. Sipas rregullave të reja, personat që nuk posedojnë dokumente të Kosovës duhet të pajisen me leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk mund të qarkullojnë në Kosovë më shumë se tre muaj pa autorizim. Megjithatë, për komunitetin serb është paraparë një periudhë tranzicioni, ku do të mund të pajisen me leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj dhe të përdorin përkohësisht dokumentet ekzistuese si mjet identifikimi gjatë procesit të regjistrimit./lajmi.net/