Një lagje super luksoze, që është në pronësi të familjes së ministrit Besim Beqaj, ka filluar të marrë formë në Bellopojë të Pejës.
Lagja, e cila quhet “Peja Hill”, është duke u ndërtuar nga kompania “Peja Hill”, pronarë të së cilës janë babai dhe një vëlla i Besim Beqajt.
Pra, pronar është Jakup Beqaj, babai i ministrit dhe një nip që ka emrin Veton Beqaj, e i cili është një djalë i ri që është diplomuar në mars të vitit 2016.
Ndërsa, në kohën e njëjtë të diplomimit me Veton Beqajn është regjistruar si biznes në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve edhe ndërmarrja “Peja Hill”, shkruan FaktePlus.
Megjithëse ndërtimi i lagjes duket të ketë kosto shumë të lartë, ministri Besim Beqaj kur e ka deklaruar pasurinë në vitin 2018, ka treguar se në llogarinë bankare të babait të tij janë vetëm 22 mijë euro para të gatshme, të fituara nga pagat në biznesin e Jakup Beqajt, “The Cambridge School”.
Ndonëse, ka deklaruar të hyrat e babait, vetëm nga kolegji, ato nuk janë deklaruar edhe nga kompania “Peja Hill”.
Të hyrat e babait janë deklaruar nga viti 2015, dhe ato nuk e kapin shifrën e më shumë se 22 mijë euro para të gatshme në bankë, mjete këto që janë përfituar nga kolegji.
Lagja “Peja Hill” ka nisur të ndërtohet në vitin 2016 në pjesën jug-perëndimore të Pejës, 2 km nga qendra e qytetit.
Sipas ueb faqes zyrtare të “Peja Hill” lagja do të ketë 57 shtëpi banimi me 3 lloje të shtëpive (lloji A, B dhe C), të cilat kanë sipërfaqe të ndryshme.