back to top
Monday, February 9, 2026
BallinaLajmeKomisionet e së Vërtetës si mekanizëm për drejtësi – A funksionojnë për...

Komisionet e së Vërtetës si mekanizëm për drejtësi – A funksionojnë për Kosovën?

Të ngjajshme

Krijimi i Komisioneve të së Vërtetës, praktikë kjo e përdorur në Afrikën e Jugut dhe disa shtete të tjera, është menduar që të vihet në funksion edhe në Kosovë si një mekanizëm i Drejtësisë Tranzicionale që do të ndihmonte në zbardhjen e të vërtetës për krimet e ndodhura në Kosovë gjatë viteve 90-ta dhe që potencialisht do të lehtësonte ecjen drejt një pajtimi Kosovë-Serbi.

Besnik Velija

Hashim Thaçi si president i Kosovës ka qenë i pari që e ka filluar një nismë të tillë në vitin 2017. Sipas Thaçit, Kosova s’mund të mbetej peng i së kaluarës.

“Shoqëria kosovare nuk mund të ndërtojë të ardhme më të mirë nëse mbetet peng i të kaluarës, prandaj edhe e kam marrë këtë iniciativë”, kishte thënë Thaçi me 1 mars 2017.

Gazetarja kosovare, Serbeze Haxhiaj, e cila merret me tema që lidhen me Drejtësinë Tranzicionale, në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se ish-presidenti kosovar e kishte menduar këtë nismë për t’ua dhënë viktimave të të gjitha etnive një platformë që do të shërbente si urë për paqen dhe pajtimin.

“Por qysh në fillim Thaçi ishte i vetëdijshëm për sfidat e mëdha që haste krijimi i këtij mekanizmi. E para ky mekanizëm që u tregu tejet i suksesshëm në disa vende si Afrika e Jugut apo Timori Lindor kishte dështuar në vendet tjera të ish Jugosllavisë”, ka thënë Haxhiaj.

Puna e nisur nga Thaçi ishte ndalur për shkak të zhvillimeve të lidhura me Gjykatën Speciale dhe dosja për shtyrjen tutje të një nisme të tillë e kishte marrë në dorë presidentja Vjosa Osmani.

Haxhiaj thotë se Osmani s’ka treguar ndonjë interes për të vazhduar përpjekjen për themelimin e një mekanizmi të tillë, duke qenë e vetëdijshme se gjasat për sukses mund të jenë tepër të vogla.

Ajo ka sqaruar se nisma e Thaçit për Komision të së Vërtetës dhe Pajtimit, është reduktuar në një Komision Presidencial për Drejtësi Tranzicionale, që sipas gazetares kosovare vështirë se i njëjti do të ketë ndonjë efekt domethënës sa i përket ballafaqimit me të kaluarën.

“Pasi qeveria miratoi Strategjinë për Drejtësi Tranzicionale  në janar të vitit 2024 ideja e Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit u reduktua në një  Komision Presidencial për Drejtësi Tranzicionale. Vitin e kaluar Zyra e Presidentes ka miratuar një statut të këtij komisioni i cili nuk është shumë e qartë si do të duket dhe si do të funksionojë. Për më tepër në formën se si është prezantuar në një draft që ka qarkulluar jo zyrtarisht ai më tepër i shton pritjet e viktimave sesa që mund të sjell ndonjë ndryshim esencial në procesin e ballafaqimit me të kaluarën”, ka shpjeguar Haxhiaj për Gazetën Express.

Se ende s’ka ndonjë zhvillim konkret sa i përket funksionalizimit dhe finalizimit të një Komisioni të ristrukturuar e të emëruar “Komisioni Presidencial për Drejtësi Tranzicionale” e thonë edhe nga Presidenca e Kosovës.

Këshilltari për Media i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina, në një përgjigje për Express lidhur me këtë nismë, ka thënë se aktualisht janë duke i trajtuar komentet nga akterë të rëndësishëm dhe palët e interesuara.

“Lidhur me pyetjet tuaja, ju njoftojmë se jemi në proces të trajtimit të komenteve nga akterët relevantë dhe palët e interesuara”, ka thënë Bekim Kupina, këshilltar për Media i Presidentes Osmani.

Por a bën një nismë e tillë për kontekstin e luftës dhe krimeve që janë kryer në Kosovë?

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe profesori i Fakultetit Juridik, Enver Hasani, në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se mekanizmi i Komisioneve të Vërtetës vështirë se bën për Kosovën. Hasani thotë se natyra e konfliktit në Afrikën e Jugut dhe në Kosovë dallon shumë.  

“Ideja e konfliktit në Afrikën e Jugut ka qenë pengimi i shtrirjes së komunizmit, siç ka qenë rasti me 99 për qind të konflikteve të asaj periudhe. Me rrënimin e komunizmit, ka pushuar arsyeja për vazhdimin e regjimit të apartheidit dhe gjërat kanë marrë të mbarën. Në Kosovë gjërat janë ndryshe: objekti i konfliktit është sovraniteti shtetëror dhe territorial, pra kush duhet të jetë sovran dhe i pavarur në Kosovë, ne apo Serbia. Kjo e fundit e sheh Kosovën si pjesë të territorit të saj sovran”, ka thënë Hasani.

Sipas tij, është e vështirë të mendohet që një pushtet në Serbi do të heqë dorë nga të parit Kosovën si pjesë të saj dhe të bëjë pajtim historik, duke i pranuar krimet e bëra në Kosovë.

“Ideja bazë e komisioneve të pajtimit konsiston në falje dhe pranimin e krimeve të së kaluarës. Këtë e ka të vështirë ta bëjë Serbia, sepse një gjë e tillë nënkupton edhe pranimin formal të pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës”, shprehet profesori Enver Hasani.

Sipas ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese një nismë e tillë është e vështirë të funksionojë në Kosovë, meqë thotë se serbët e Kosovës s’kanë autonomi për të vendosur për pajtim me kosovarët.

 “Fundja, as nuk duhet të kërkohet një gjë e tillë prej tyre, sepse krimet dhe gjenocidin ndaj kosovarëve i ka kryer shteti i Serbisë, jo serbët lokalë. Për këtë arsye, ideja e pajtimit historik ndërmjet kosovarëve dhe serbëve nënkupton gjithmonë njohjen dhe pranimin e realitetit historik, ku Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, ndërsa Serbia kryese e krimeve të luftës, gjenocidit dhe krimeve të tjera kundër njerëzimit në territorin e Kosovës së sotme”, thotë ai.

Profesori i Universitetit të Prishtinës thotë se gjetja dhe zbulimi i secilit krime të kryer përgjatë viteve të 90-ta mund të bëhet përmes rrugës politike në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Këtu rol parësor ka Serbia, sepse ajo ka qenë një strukturë e organizuar shtetërore që ka ditur dhe di çdo gjë rreth krimeve të kryera në Kosovë. Krimet e kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë janë të një natyre tjetër nga krimet ordinere të kryera nga individë të ndryshëm; ato kanë qenë krime të organizuara shtetërore, ndërsa kosovarët nuk kanë pasur struktura të tilla të organizuara në nivel shtetëror”, shprehet ai.

Ai thotë se krimet e kryera gjatë luftës s’mund të falen dhe as të amnistohen dhe se gjykatat janë ato që duhet t’i zbardhin.

“Gjykatat janë ato që duhet t’i zbardhin të gjitha krimet e kryera në Kosovë. Ato as nuk mund të falen apo të amnistohen dhe as nuk parashkruhen. Kjo mbetet detyrë permanente e shtetit të Kosovës”, shton ai.

Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës thotë se është shumë e vështirë që Komisionet e të Vërtetës të tregojnë sukses në Kosovë.

“Shumë e vështirë. Siç e thashë, vështirë të mendohet se në Serbi do të vijë një pushtet i hapur dhe racional, i cili do ta kuptojë realitetin historik, do t’i pranojë krimet dhe agresionin e kryer në Kosovë dhe do ta njohë formalisht Kosovën si shtet. Pa këtë hap, vështirë të ndodhë ndonjë pajtim ndërmjet kosovarëve dhe serbëve”, shprehet Enver Hasani.

Aktivistja për të Drejtat e Njeriut dhe themeluesja e “Komitetit të Helsinkit”, Sonja Biserko, në një intervistë për Gazetën Express ka thënë se Komisionet për të Vërtetën dhe Pajtimit apo mekanizma të drejtësisë tranzicionale mund të japin kontribut pozitiv në Kosovë, veçanërisht në drejtim të njohjes dhe dokumentimit të shkeljeve në një mënyrë që humaizohet përvoja e të gjitha komuniteteve.

“Megjithatë, pritja që ato të zgjidhin konfliktet e thella politike mes Kosovës dhe Serbisë, apo të zhdukin mosbesimin ekzistues mes shqiptarëve dhe serbëve,  do të ishte joreale në afat të shkurtër”, shprehet Biserko.

Kur flet për sfidat që mund të përballet procesi i implementimit të një praktike të tillë në Kosovë, Biserko përmend si çështje shumë të ndjeshme njohjen e shkeljes së të drejtave të njeriut për të gjitha komunitetet.

“Çështja më e ndjeshme, por jashtëzakonisht e rëndësishme, është kjo: njohja e vuajtjeve të civilëve serbë nuk duhet të shihet si relativizim i konfliktit apo si mohim i shtypjes sistematike të përjetuar nga shqiptarët e Kosovës. Njohja nuk është barazim. Pranimi i vuajtjeve nuk është revizionizëm. Përkundrazi, një shoqëri demokratike e dëshmon forcën e saj duke i njohur të gjitha viktimat civile, jo duke i heshtur disa prej tyre” thotë Biserko.

Ajo thotë se për të ndodhur një gjë e tillë, Komisioni duhet të jetë i pavarur nga politika e përditshme dhe i përqendruar tek viktimat.

“Për ta arritur këtë, Komisioni duhet të jetë i pavarur nga politika e përditshme, i përqendruar te viktimat, i bazuar në fakte dhe i lidhur me arsimin, kujtesën, kulturën dhe garancitë për mos-përsëritje”, shton aktivistja për të Drejtat e Njeriut.

Biserko thotë se në situatën aktuale nuk mund të pritet bashkëpunim rajonal, meqë në Serbi vazhdon mohimin e thellë dhe se Kosova në vazhdimësi përdoret për betejat e brendshme politike.

Sipas saj, Kosova duhet të veprojë e vetme.

“Prandaj, Kosova nuk duhet të presë: kërkimi i së vërtetës, kur zhvillohet siç duhet, është vetë një formë politike parandaluese dhe një themel për qëndrueshmëri demokratike. Kosova tashmë ka bërë përpjekje të rëndësishme në dokumentimin e krimeve, përfshirë dhunën seksuale. Po ashtu, ICTY ofron një bazë të gjerë provash që mund të ndihmojnë në kontekstualizimin e kushteve politike që çuan në konflikt”, potencon Biserko.

Drejtuesja e Komitetit të Helsnikit thotë se bazuar në përvojat e Komisionit në Afrikën e Jugut dhe vende të tjera, mund të vihet në përfundim që një Komision i tillë është pjesë e një procesi që kalon brez pas brezi.

 “Duke pasur parasysh këtë, Kosova duhet të studiojë të gjitha rastet deri më sot dhe të përqendrohet në aspektet që kanë formësuar debatin publik në shoqëritë përkatëse”, shprehet ajo.

Nëse themelohet në Kosovë, Biserko jep disa sugjerime se çfarë duhet të përfshihet në mandatin e një Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin, duke theksuar humanizimin e viktimave përtej vijave etnike.

“Mandati i Komisionit duhet të përqendrohet në dokumentimin e modeleve të shkeljeve të të drejtave të njeriut, identifikimin e dështimeve institucionale dhe amplifikimin e zërave të viktimave. Ai duhet t’i humanizojë viktimat përtej vijave etnike, të sfidojë mohimin dhe instrumentalizimin e vuajtjeve, dhe të krijojë një bazë faktike për brezat e ardhshëm. Synimet e tij kryesore duhet të jenë edukimi, kujtesa dhe parandalimi i përsëritjes. Gjetjet e Komisionit, të publikuara në një Raport, duhet të ushqejnë reformën arsimore, standardet e transmetimit publik, praktikat e memorializimit dhe zhvillimin e mbrojtjeve institucionale kundër abuzimeve të ardhshme”, thekson Biserko.

Biserko thotë se themelimi i një Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin është i mundur në Kosovë, por se duhet hartim i kujdesshëm i tij. Marrë parasysh brutalitetin e krimeve të kryera në Kosovë dhe raportin e tensionuar politik Kosovë-Serbi, Biserko thotë se fokusi i një Komisioni të tillë s’mund të jetë pajtimi politik.

“Në vend të kësaj, ai duhet të jetë i pavarur, i përqendruar te viktima dhe i bazuar në prova, duke synuar dokumentimin e shkeljeve, njohjen e të gjitha vuajtjeve civile dhe sfidimin e mohimit. Ndërsa pajtimi i plotë shoqëror mund të mbetet i largët, komisioni mund të hedhë themelet për mirëkuptim ndërgjeneracional, politikë parandaluese dhe qëndrueshmëri demokratike”, thekson ajo.

Për bashkëpunimin që ekziston në nivelin e shoqërisë civile për çështjet që lidhen me drejtësinë tranzicionale, Biserko thekson se ai duhet të vazhdojë dhe të përkrahet, meqë pajtimi politik nuk varet vetëm nga Serbia, por edhe nga një kontekst më i gjerë ndërkombëtarë.

“Me kalimin e kohës, bashkëpunimi i qëndrueshëm shoqëror mund të krijojë kushtet për pajtim përfundimtar politik”, thotë Biserko.

Në fund, Biserko potencon se Komision i së Vërtetës s’duhet të rishkruaj historinë apo të detyrojë pajtimin, por duhet të jetë i fokusuar në mbrojtjen e viktimave dhe parandalimin e përdorimit të së kaluarës politikisht.

“Komisioni i së vërtetës në Kosovë nuk duhet të ketë të bëjë me rishkrimin e historisë ose detyrimin e pajtimit – duhet të ketë të bëjë me mbrojtjen e viktimave dhe parandalimin e përdorimit të së kaluarës si armë politike”, përfundon Biserko.

Çfarë janë Komisionet e së Vërtetës dhe për çfarë shërbejnë, sipas Ammnesty International?

Sipas përkufizimit të Ammnesty International, Komisionet e së Vërtetës janë organe për gjetjen e fakteve që hetojnë modelet e shkeljeve dhe abuzimeve të të drejtave të njeriut të kryera në të kaluarën dhe përcaktojnë rezultatet e hetimeve të tyre në një raport përfundimtar që përmban gjetjet e fakteve dhe rekomandimet. Kur ka pasur shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, shtetet duhet të sigurojnë që e vërteta të thuhet, që drejtësia të bëhet dhe që dëmshpërblimi t’u ofrohet të gjitha viktimave. Në këtë kuptim, e vërteta, drejtësia dhe dëmshpërblimi janë tre aspekte të luftës kundër pandëshkueshmërisë.Komisionet e së vërtetës mund të ndihmojnë në luftën kundër pandëshkueshmërisë dhe mund të ndihmojnë në arritjen e së vërtetës, drejtësisë dhe dëmshpërblimit.

 Historiku i Komisionit të së Vërtetës dhe gjetjet në Afrikën e Jugut sipas “African Transitional Justice Hub”:

Komisioni i së Vërtetës dhe Pajtimit (TRC) i Afrikës së Jugut u krijua nëpërmjet miratimit të Aktit të Promovimit të Unitetit Kombëtar dhe Pajtimit (1995). Mandati i tij ishte të hetonte shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut që ndodhën nën aparteid midis marsit 1960 dhe majit 1994, kur Nelson Mandela u inaugurua si president. TRC kërkoi të ofronte një platformë për viktimat/të mbijetuarit për të ndarë historitë e tyre, për të dokumentuar këto abuzime në raportin e saj përfundimtar dhe për të ofruar rekomandime për dëmshpërblim dhe masa për të parandaluar abuzimet e ardhshme. TRC gjithashtu ofroi amnisti për shkeljet e motivuara politikisht, të cilat kërkonin që autorët të zbulonin të vërtetën rreth rolit të tyre në këto abuzime.

TRC u përqendrua në atë që e quajti “shkelje të rënda të të drejtave të njeriut”, të cilat përfshinin torturën, vrasjen, keqtrajtimin e rëndë dhe “përpjekjen, komplotin, nxitjen, nxitjen, komandën ose sigurimin për të kryer akte të tilla”. Edhe pse dhuna seksuale nuk u emërtua posaçërisht si shkelje sipas këtij përkufizimi, format e shkeljeve seksuale si përdhunimi dhe sulmi seksual u njohën si një nënkategori nën keqtrajtimin e rëndë ose si një metodë torture .

Gjatë TRC-së, Komiteti për Shkeljet e të Drejtave të Njeriut mblodhi më shumë se 21,000 deklarata viktimash/të mbijetuarish, të cilat detajuan në mënyrë të qartë mbi 37,672 shkelje të të drejtave të njeriut në periudhën që po hetohej. Nga deklaratat e mbledhura, 446 përmbanin detaje mbi format e abuzimit seksual që preknin si burrat ashtu edhe gratë. Nga këto raste, 140 përmendën në mënyrë të qartë përdhunimin.

Sipas Goldblatt dhe Meintjes (1998), angazhimi i TRC-së në dhunën seksuale të lidhur me konfliktin (DSNK) dhe dhunën me bazë gjinore në përgjithësi është kritikuar për shkak të mungesës së përmendjes së qartë të dhunës seksuale brenda mandatit të komisionit dhe mungesës së shqyrtimit të dhunës tjetër sistemike të aparteidit që ushqeu natyrën gjinore të dhunës së epokës së aparteidit. Kjo ndikoi jo vetëm në hetime, por edhe në marrjen e deklaratave, analizën e shkaqeve dhe rekomandimet.

Të Fundit

Sport

ShowBiz