Komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos, është përballur sërish me akuza se ka qenë bashkëpunëtore e policisë sekrete jugosllave, e njohur në mënyrë kolokviale si Udba.
Këto pretendime dolën pas promovimit më 10 mars në ambientet e Parlamentit Evropian të librit “Komesarka”, të autorit slloven Igor Omerza, në të cilin paraqiten dokumente që sipas autorit provojnë se Marta Kos ka bashkëpunuar me policinë sekrete jugosllave.
Promovimin e organizoi eurodeputetja sllovene Romana Tomc, anëtare e Partisë Popullore Evropiane, grupimi më i madh politik në Parlamentin Evropian. Menjëherë pas promovimit, Tomc i dërgoi një letër Komisionit Evropian, duke iu referuar përmbajtjes së librit.
“Në dokumentet e reja sugjerohet se Marta Kos, si kandidate, ka gënjyer para komitetit parlamentar të Parlamentit Evropian, pasi deklaroi se kurrë nuk ka qenë bashkëpunëtore e policisë sekrete jugosllave”, shkroi Tomc në letrën e publikuar në rrjetet sociale.
Ajo e pyeti Komisionin Evropian nëse është në dijeni të pretendimeve të reja, nëse ka ndërmend t’i verifikojë dhe çfarë masash planifikon të marrë për të parandaluar mundësinë që Marta Kos të ketë gënjyer gjatë dëgjimit në Parlamentin Evropian, duke pasur parasysh se Komisioni është i detyruar të respektojë standardet më të larta të integritetit.
Megjithatë, Guillaume Mercier, zëdhënës i Komisionit Evropian përgjegjës për zgjerimin, mohoi se Komisioni ka marrë këtë letër.
“Komisionerja Kos ka kaluar një proces të gjerë dhe të detajuar verifikimi për t’iu bashkuar Kolegjiumit. Parlamenti Evropian miratoi emërimin e saj në të njëjtin proces si për të gjithë 27 komisionerët. Komiteti për Çështje Juridike i PE-së shqyrtoi deklaratën e saj të interesave dhe nuk konstatoi konflikt interesi. Komisioni Evropian nuk ka komente të tjera”, tha Mercier.
Drejtoria e Sigurisë Shtetërore (UDB, e njohur si Udba) u formua në Jugosllavi menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në vitin 1946, ndërsa në vitin 1966 u riemërua në Shërbimin e Sigurisë Shtetërore.
Udba është e njohur për rolin e saj në përndjekjen e kundërshtarëve politikë në Jugosllavi pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa një pjesë e madhe e aktiviteteve të saj në dekadat pasuese ishte e fokusuar në ndjekjen dhe eliminimin e personave në diasporë që konsideroheshin si kundër interesave të Jugosllavisë.
Akuzat se Marta Kos ka qenë bashkëpunëtore e policisë sekrete jugosllave u shfaqën për herë të parë në vitin 2024 gjatë dëgjimit për konfirmimin e emërimit të saj si kandidate sllovene për komisionere evropiane. Në atë kohë, Kos i mohoi çdo lidhje dhe i quajti pretendimet si dezinformata.
Një zëdhënës i Partisë Popullore Evropiane konfirmoi për mediat se eurodeputetja Romana Tomc i kishte informuar në detaje anëtarët e grupimit për zbulimet më të fundit lidhur me komisioneren Marta Kos.
“Grupi do ta shqyrtojë me kujdes situatën. Për momentin vërejmë se komisionerja Kos nuk i ka mohuar këto zbulime të reja. Tani topi është në fushën e saj”, tha zëdhënësi i Partisë Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian.
Eurodeputetët kanë paralajmëruar se do ta pyesin Martën Kos për pretendimet e reja gjatë debatit për zgjerimin në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET), i planifikuar për të hënën më 16 mars. Megjithatë, Kos njoftoi të premten komitetin AFET se nuk do të mund të marrë pjesë në këtë debat.
“Herët a vonë do të duhet të vijë në AFET dhe nuk do ta ketë të lehtë”, tha një zyrtar nga radhët e Partisë Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian. /rel