Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, tashmë kanë finalizuar një draft marrëveshje, sipas të cilave janë ndarë rolet kryesore nëpër ministri dhe ato të zëvendës ministrave.
Një burim brenda LDK-së, i ka thënë Gazetës Blic, se përkundër disa zërave të sotëm, koalicioni mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike, është punë e kryer.
Sipas tij, tashmë ekipet e të dyja partive do të merren vesh për programin qeverisës, duke shtuar se gjithçka tjetër ka përfunduar.
Sipas marrëveshjes, që e ka siguruar Gazeta Blic, LVV dhe LDK, janë pajtuar për ndarjen e ministrive, teksa për disa prej tyre edhe për postet e zv.ministrave.
Kryetari i Kuvendit, do të jetë posti i parë që i është dhënë Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Po ashtu, sipas marrëveshjes, partia e Isa Mustafës, do ta ketë edhe zv.kryeministrin e parë, në qeverinë që pritet ta udhëheq Albin Kurti.
Në këtë marrëveshje, është paraparë edhe ndarja e posteve për ministritë tjera.
LDK-së i kanë takuar këto ministri: Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit.
Burime të Gazetës Blic brenda partive politike, thonë se parashihet që LDK ta ketë postin e zv.ministrave të dytë në të gjitha ministritë që u përmendën më lartë.
Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje, sipas marrëveshjes do të udhëheq me kryeministrinë, e në krye të saj pritet të jetë Albin Kurti.
Kurse, sa i përket ministrive, Vetëvendosje do të udhëheq me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.
Po ashtu, dy ministri janë paraparë për komunitetet: Ministria për Kthim dhe Komunitete dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Ministria e Diasporës dhe ajo e Integrimeve Evropiane do të shkrihen në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Ndërsa, ministria e Administratës Publike do të jetë në kuadër të ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.
E sot, pati një përplasje mes zyrtarëve të LDK-së. Teksa, tashmë ishin ndarë postet në një marrëveshje të brendshme mes dy partive dhe fillimit të punës nga ana e ekipeve punues, doli nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, i cili dha goditje të rënda për këtë veprim. Ai tha se nuk është i kënaqur me rezultatin zgjedhor të LDK-së, duke dhënë kritika edhe për Vjosa Osmanin.
Veliu po ashtu, gjatë ditës theksoi se koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje, është i pamundur, teksa ka shtuar se shkak për këtë sipas tij, janë ndarjet e mëdha në programet e të dyja partive.
E i menjëhershëm ishte reagimi, i zëdhënësit të LDK-së Besian Mustafa, i cili tha se LDK tashmë i ka pezulluar negociatat me Lëvizjen Vetëvendosje.
Kjo ngjalli reagime të shumta gjatë ditës, teksa filluan që të pushojnë zërat, në momentin kur në skenë doli kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.
Ai tha se ekipet e të dy partive do të vazhdojnë punën, por ekipet politike nuk do të kenë takime, deri në certifikimin e zgjedhjeve nga ana e KQZ-së.
Njësoj deklaroi edhe kandidatja për kryeministre në zgjedhjet e 6 tetorit, Vjosa Osmani.
Këto deklarime, bënë që zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, të flas prapë dhe ta përmisojë vetën.
Në reagimin e dytë, Mustafa, potencoi se se diskutimet do të vazhdojnë mes grupeve punuese për përafrimin e programit qeverisës, ashtu siç deklaroi edhe kryetari i LDK-së Isa Mustafa, e kandidatja e kësaj partie për kryeministre, Vjosa Osmani.
“Nuk ka pezullim të diskutimeve! Po vazhdojnë diskutimet mes grupeve punuese të LDK-së dhe LVV-së për përafrim të programeve tona. Diskutimet në nivel politik për bashkëqeverisjen LDK-LVV vazhdojnë pas certifikimit të rezultate nga KQZ-ja”, ka thënë Mustafa.
Ditëve në vijim, KQZ, pritet të jap rezultatet finale, teksa Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike, pritet që deri në atë kohë ta finalizojnë edhe programin qeverisës të tyre.