KMDLNJ: Sulmi në xhaminë në Velekincë, shkelje e të drejtave fetare

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut ka reaguar ndaj sulmit që u bë në xhaminë e Velekincës nga një qytetarë serb.
KMDLNJ përmes një reagimi për media dënuar këtë veprim të cilin e kanë quajtur vandal, duke thënë se ky veprim ka fyer të drejtat fetare si njëra ndër të drejtat elementare të njeriut.
“Një person, shtetas i Kosovës i nacionalitetit serb ka bërë përpjekje ta dëmtojë minaren e xhamisë në Velekincë të Gjilanit dhe, gjithashtu ka bërë përpjekje ta vendosë kryqin në minaren e kësaj xhamie. Ky veprim i papërgjegjshëm i ka fyer rëndë ndjenjat fetare të besimtarëve të besimit islam sikur që vënë nën dyshim tolerancën ndërfetare që merret si shembull i mirë në një vend ku bashkëjetojnë besimtarët e tri besimeve; myslimanë, katolikë dhe ortodoks. KMDLNj e dënon këtë veprim vandal të një personi të papërgjegjshëm që i fyen të drejtat fetare si njëra ndër të drejtat elementare të njeriut dhe kërkon nga hetuesia që të ndërmerr veprimet në përputhje me ligjin sikur që kërkon nga besimtarët që u janë shkelur të drejtat e tyre të tregohen të matur në reagimet e tyre në mënyrë që të mos kontribuojnë në tesionimin e raporteve ndërkonfesionale”, thuhet në reagimin e tyre.
Më tej KMDLNJ ka theksuar se komuniteti serb që jeton në Kosovë duhet ta gjykojë këtë rast si veprim të papërgjegjshëm dhe të distancohet nga ky veprim.
Lexo edheKështu e pësoi serbi që tentoi ta prishte minaren e xhamisë në Gjilan [video]
“KMDLNj përkujton se pikërisht në raste kur janë sulmuar objektet fetare, Beogradi dhe Kisha ortodokse serbe janë ankuar deri të Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, shumë herë duke u marrë me improvizime dhe inskenime ndërsa tani heshtin dhe nuk reagojnë për këtë sulm të pashembullt dhe të papërgjegjshëm si provokim i rëndë i ndjenjave fetare të besimtarëve myslimanë.
Në Kosovë e drejta e fesë është e rregulluar me ligj për të gjithë besimtarët, pa diskriminuar askënd dhe si e tillë duhet të respektohet”, thuhet më rej në reagim.
Duke gjykuar këtë sulm, KMDLNj ka bërë thirrje në vazhdimin e tolerancës ndërfetare dhe lirinë e shprehjes së bindjeve fetare për të gjithë besimtarët, pavarësisht cilit besim i takon./Telegrafi/














