Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror të Shqipërisë, Fatos Klosi, ka komentuar protestën e mbajtur në Tiranë në mbështetje të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me procese gjyqësore në Gjykatën Speciale në Hagë.
Në një deklaratë për Indeksonline, Klosi e vlerësoi si pozitive dhe domethënëse mbështetjen masive të qytetarëve shqiptarë, duke theksuar se kjo është një dëshmi e qartë se populli nuk i sheh këta burra si fajtorë, por si heronj të kombit.
“Sigurisht, është një faqe e vullnetit të shqiptarëve, të kombit shqiptar, që këta njerëz i konsideron të pafajshëm dhe i sheh si heronj. Me këtë, tregohet se çfarëdo vendimi që të marrë gjykata, populli shqiptar e ka dhënë mendimin e vet. Gjykata e ka punën e vet dhe kjo s’do të thotë që unë mund të ndikohem. Por është shumë e rëndësishme që populli t’ia tregojë gjithë botës se këta njerëz janë heronj,” u shpreh Klosi.
Ai e cilësoi Gjykatën Speciale si një absurditet në vetvete, duke shtuar se edhe vendimi përfundimtar nga ajo gjykatë mund të jetë po aq absurd.
“Deri tani, kjo gjykatë për mua ka qenë absurde, prandaj edhe vendimi mund të jetë absurd për mua. Shqiptarët i çmojnë ata njerëz – ata janë pjesë e historisë dhe e lirisë së Kosovës,” përfundoi Klosi. /Indeksonline/