Klan Kosova ka paditur kryeministrin në detyrë Albin Kurti për shpfije dhe fyerje, me arsyetimin se në fjalimet e tij i është drejtuar si “Klan Serbia” dhe për deklarime tjera të pavërteta për paditësin.
Në padinë që Klan Kosova e ka dorëzuar më 16 maj 2025, thuhet se Klan Kosova është ofrues i shërbimeve mediale/ televizion me shtrirje në tërë Kosovën dhe me shikueshmëri të lartë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në padi thuhet se paditësi inicioi këtë padi bazuar në Ligjin për shpifje dhe fyerje, për shkak të përmbajtjes dhe natyrës së deklaratave shpifëse të bëra nga i padituri Albin Kurti. Sipas paditësit, deklaratat e tilla janë afatgjate sa i përket cenimit të reputacionit dhe imazhit të këtu paditësit- Klan Kosova dhe se prodhojnë pasoja të cilat mund të ndikojnë në relacionin e saj me shikuesit, bashkëpunëtorët që ka apo që mund t’i ketë.
Për Kurtin, në padi thuhet se mban një ndër postet më të rëndësishme në vend- atë të Kryeministrit dhe se po ashtu është kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe se rrjedhimisht edhe deklaratat e tij citohen nga shumë portale dhe shpërndahen.
Në padi thuhet se Kurti gjatë muajit janar dhe shkurt 2025, gjatë fushatës zgjedhore në çdo tubim elektoral kishte bërë deklarata pa asnjë të vërtetë dhe me qëllim dëmtimin e reputacionit të paditësit- Klan Kosova si dhe dëmtimin e integritetit personal të pronarit të saj.
Padia vijon me citimet e deklaratave nga fjalimet e paditësit Kurti:
“Jo më asi biznesmenësh që milionin e parë e kanë nga koha e Serbisë apo nga koha e klanit “Pronto. Republika e Kosovës, kombi shqiptar ka nevojë për biznesmenë patriotë, që thonë Peja Republika e Kosovës, Gjakova – Republika e Kosovës dhe jo kurrë e asnjëherë “Peç Srbija”, apo “Djakovica Srbija”. Ma mirë dhe ma ndershëm, shumë ma mirë e shumë ma ndershëm, pakufi ma mirë e pakufi ma ndershëm, është të rregullosh, të ndreqësh rrota të biçikletave, si Ibrahim Devolli, dhe jo si djemtë e tij, që e regjistrojnë biznesin e tyre si të Serbisë, dhe Maqedonisë së Veriut, në emër të tjetërkujt, per të ardhur si të huaj në Pejë dhe në Kosovë“.
“Në anë të tyre është edhe kapitali i oligarkëve e sidomos njërit prej tyre që me kompaninë e tyre që e regjistrojnë me Djakovica e Pec/Serbia dhe që e dëbojnë nga puna motrën e dëshmorit vetëm se në familjen e tyre për vizitë me kanë pritur mua. Në anën tjetër ne njerzit jo kapitali i zhvatur po njerëzit me zemër të madhe që duan të pasurohet e forcohet shteti dhe pasuria të bëhet për të gjithë jo për disa, dhe atë me punë e ligi e nder e jo me zhvatje plackitje e arbitrazhe të kurdisura. Prandaj të nderuar qytetar, të nderuar gjakovar, ne duam vendin tonë Kosova Republikë, e jo Kosova Klan”.
“Prandaj, 9 shkurti është referendum, motra e vëllezër ja tash ja kurrë. Përfundimisht poshtë Klanet e Kosovës, Rrnoftë Kosova Republikë”.
“Doganat e Terminalet janë të shtetit, janë të Republikës nuk janë të privatnikëve e të Klaneve, poshtë Klanet e Kosovës, Rrnoftë Kosova Republikë”.
“Edhe me i bo bashkë Pëdëkyhin dhe lëdëkyhin nuk bëjnë sa Vetëvendosje. Rezultatet preliminare kanë treguar diçka të vlefshme për politikën e historinë, e kjo është që populli i Kosovës më datën 09 shkurt 2025 e kanë mujtë edhe Serbinë dhe Klan Serbinë”.
Paditësi Klan Kosova përmes padisë ka theksuar se kishte paraqitur tek i padituri kërkesë për demant, në mënyrë që i padituri Kurti të tërhiqet nga deklaratat e pavërteta, por se ai nuk e ka bërë një gjë të tillë dhe ka qëndruar mbrapa deklarimeve shpifëse dhe fyese.
“Se të njëjtat deklarata që përbëjnë shpifje dhe fyerje të rëndë për Paditësin, vërtetohet me faktin se i njëjti në asnjë moment nuk ka arrit që të jap një fakt të mirëfilltë për shpifjet që i ka publikuar, rrjedhimisht vërtetohet se qëllimi kryesor i tij ishte dëmtimi i reputacionit dhe imazhit të Paditësit, të cilin përmes deklaratave shpifëse është munduar ta bëjë me vetëdije të plotë“, thuhet në padi.
Andaj sipas padisë, paditësi Klan Kosova ka theksuar se padia mbetet instrumenti i fundit për mbrojtjen e të drejtave kushtetuese dhe ligjore që janë cenuar si rezultat i deklarimeve nga i padituri.
Paditësi kërkon nga Gjykata që të konstatojë se deklarimet e Kurtit përbëjnë shpifje dhe të detyrohet i njëjti që t’i tërheq ato deklarata shpifëse dhe të mos shpifë në të ardhmen në raport me Klanin, si dhe të detyrohet t’i kërkojë falje publike paditësit për deklaratat shpifëse.
Paditësi Klan Kosova si bazë ligjore për paraqitjen e padisë ka përmendur Ligjin kundër shpifjes dhe fyerjes dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe Kushtetutën e Kosovës.
Sipas padisë, i padituri Kurti deklarimet i ka bërë në të gjitha format- përfshirë paraqitjet televizive, tubimet elektorale- ku pjesëmarja mund të ishte e madhe dhe kishin mbulim medial, duke bërë që deklarmet e tij të shpërndahen nga shumë qytetarë, e që shkalla e dëmtimit të reputacionit është tejet e madhe ndaj paditësit.
Gjithnjë sipas padisë, i padituri Kurti ka deklaruar se “Klan Kosova është e Serbisë”, pastaj i është referuar si “Klan Serbia”, dhe se sipas paditësit këto deklarime janë të pavërteta dhe kjo vërtetohet përmes provave të bashkëngjitura në padi. Aty thuhet se deklarimet e tilla tashmë kanë dëmtuar imazhin, integritetin dhe reputacionin e tyre në shoqëri.
Sipas padisë, thuhet se i padituri Kurti nuk gëzon imunitet në deklarimet e tij, pasi që nuk ka publikuar shpifjen në emër të detyrës zyrtare, morale apo shoqërore
Andaj në fund, paditësi Klan Kosova ka kërkuar që të aprovohet padia ndaj të padituri Albin Kurti, duke e detyruar që në emër të dëmit material dhe jomaterial të kompensohet varësisht nga shuma që përcaktohet prej gjetjeve në ekspertizën financiare, duke kërkuar që i padituri Kurti të detyrohet të demantojë publikisht deklaratat e tij të pavërteta dhe t’i kërkojë falje paditësit. Po ashtu, ka kërkuar t’i ndalohet Kurtit që të përsërisë deklarata apo publikime të ngjashme të pavërteta kundrejt paditësit.
Lidhur me këtë padi, “Betimi për Drejtësi” ka tentuar të marrë një përgjigje nga zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, mirëpo i njëjti nuk ka qenë i qasshëm. Po ashtu, deri në publikimin e raportit, përgjigje nuk kanë kthyer as nga Klan Kosova.
Padia e dorëzuar pritet të trajtohet nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm- Divizioni Civil.