Kabineti qeveritar sonte është mbledhur në rezidencën e zvkryeministrit Behgjet Pacolli me ftesë këtij të fundit.
Lajmi.net mëson se arsyeja e këtij takimi është ndryshimi në përbërjen e kabinetit qeverisës.
Një burim i ka thënë lajmi.net se ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj mund të zëvendësohet.
E kjo sipas këtij burimi për arsye të vendimit të fundit që Avokati i Popullit ia kishte konsideruar të kundërligjshëm.
“Vendimi për anulimin e konkursit në Inspektorat e që Avokati i Popullit ia konsideroi të kundërligjshëm është një arsye e fortë që Flamur Sefaj mund të zëvendësohet”, ka thënë ky burim.
Ditë më parë, Avokati i Popullit kishte bërë të ditur me një komunikatë se ministri i brendshëm kishte tejkaluar kompetencat për anulimin e një konkursi për inspector në Inspektoriatin e Policisë së Kosovës.
“Avokati i Popullit konsideron se me anulimin e procedurës së rekrutimit janë shkelur: Parimi i ligjshmërisë, neni 4 (paragrafi 1 dhe 2); Parimi i objektivitetit dhe paanësisë, neni 7; Parimi i pritshmërisë së ligjshme dhe të arsyeshme, neni 8; Parimi i të drejtës në mjete juridike, neni 13 – të përcaktuara me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative, të cilat përbëjnë elemente qenësore të një procesi të rregullt”, thuhej në raportin e Avokatit të Popullit.
Mbajtja e këtij takimi është konfirmuar edhe nga kabineti i Haradinajt, por që nuk janë dhënë detaje tjera.
Kujtomë se po në rezidencën e Pacollit ishte nënshkruar marrëveshje për qeverisje mes PDK-së, AAK-se e Nismës dhe AKR-së.