Pavarësisht një skandali të bujshëm që çoi në dorëheqjen e CEO-së së kompanisë Astronomer, drejtoresha e Burimeve Njerëzore, Kristin Cabot, do të vazhdojë të mbajë pozicionin e saj. Ngjarja që solli në vëmendje këtë histori ndodhi gjatë një koncerti të Coldplay në Boston, kur një kamerë e “Kiss Cam” i kapi Kristin Cabot dhe CEO-n e atëhershëm Andy Byron në një moment përqafimi. Videoja u bë virale, duke nxitur spekulime për një marrëdhënie personale mes tyre.
Byron dha dorëheqjen gjatë fundjavës, pas presionit në rritje nga brenda dhe jashtë kompanisë. Ndërkohë, Cabot, e cila vazhdon të jetë e listuar si drejtore e burimeve njerëzore në faqen zyrtare të kompanisë, duket se do të qëndrojë në detyrë, ndërsa drejtimin e kompanisë e ka marrë Pete DeJoy.
Në një deklaratë zyrtare të titulluar “Të ecësh përpara në Astronomer”, DeJoy u përpoq të vendoste theksin te rikthimi i fokusit në punën dhe misionin e kompanisë:
“Ngjarjet e ditëve të fundit kanë marrë një nivel vëmendjeje nga shtypi që pak kompani, e lëre më startup-et në cepin e vogël të botës së të dhënave dhe inteligjencës artificiale ku ndodhemi ne, e kanë përballuar ndonjëherë.”
Thuhet se të dy individët janë të martuar, por asnjëri nuk ka komentuar publikisht mbi natyrën e marrëdhënies së tyre. Gjatë incidentit në koncert, edhe këngëtari i Coldplay, Chris Martin, bëri shaka nga skena, duke thënë se çifti “ose janë në një lidhje, ose janë shumë të turpshëm”.
Deri më tani, nuk ka pasur ndonjë reagim zyrtar nga vetë Cabot. Megjithatë, qëndrimi i saj në kompani në një kohë kur CEO u largua pas skandalit, ka ngjallur debat mbi standardet e dyfishta në vendimmarrje dhe etikën në vendin e punës.
Astronomer, një startup që operon në fushën e të dhënave dhe inteligjencës artificiale, po përpiqet të lë pas incidentin dhe të rikthehet në kursin e inovacionit dhe zhvillimit teknologjik.