Kinë, raportohen 99 raste të reja me COVID-19

Kina konfirmoi më pak se njëqind raste të reja me koronavirusin e ri (COVID-19), shumica të importuara, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas Komisionit Kombëtar të Shëndetit (NHC) të Kinës, 99 raste të reja u raportuan të shtunën në vend dhe rajonin Xinjiang, ku 97 prej tyre ishin të importuara nga jashtë, shifra më e lartë ditore që nga 6 marsi.
Një ditë më parë, vendi konfirmoi 46 raste, me 42 infeksione të importuara.
Zona ku u shfaq virusi, provinca Hubei, nuk ka raportuar ndonjë rast të ri ose vdekje.
Të dhënat e NHC-së tregojnë se rastet e importuara në Kinë rriten dita ditës, pasi numri i përgjithshëm i rasteve të importuara ka shkuar deri në 1.280, megjithëse asnjë vdekje nuk u raportua nga infeksionet e importuara deri më tani dhe 481 pacientë u larguan nga spitalet pasi u shëruan me sukses.
Kina deri më tani ka konfirmuar 82.052 raste, me 3.339 vdekje, ndërsa 77.575 pacientë janë shëruar dhe larguar nga spitalet, sipas raportit të NHC.

Lexo edheSHBA-ja bëhet vendi me më shumti viktima nga koronavirusi
Ndërkohë, Hong Kongu ka raportuar 1.000 raste dhe 4 vdekje deri më tani, Tajvani ka 385 raste dhe Macau 45 raste, sipas komisionit.
Që nga e shtuna, gjithsej 336 të infektuar me koronavirus u shëruan në Hong Kong, 99 në Tajvan dhe 10 në Makau.
Pasi u shfaq për herë të parë në Kinë dhjetorin e kaluar, COVID-19, sëmundja e shkaktuar nga virusi, është përhapur në të gjithë botën, kurse epiqendra e saj është zhvendosur në Evropë.
Në gjithë botën, pandemia ka marrë jetën e afro 109,000 njerëve dhe ka infektuar mbi 1,78 milionë, ndërsa më shumë se 405.000 njerëz janë shëruar, sipas shifrave të përpiluara nga Universiteti Johns Hopkins me qendër në SHBA.














