Ditë më parë është raportuar për mbylljen e një kampi ushtarak të KFOR-it, gjegjësisht të trupave gjermane në Prizren, gjë e cila rrjedhimisht ka ngjallur reagime për gjendjen e sigurisë në vend.
Por, Shtabi Qendror i KFOR-it, përmes një komunikate për media, ka thënë se çdo vendim rreth pozitës së ardhshme të KFOR-it do të merret nga Këshilli i Atlantikut të Veriut.
Po ashtu, në komunikatë thuhet se Gjermania mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj KFOR-it.
“Që nga viti 1999, Gjermania ka qenë një kontribuuese e qëndrueshme me trupa në misionin e KFOR-it të udhëhequr nga NATO. Ky angazhim vazhdon. Kontingjenti gjerman mbetet kontribuuesi i tretë më i madh në KFOR”, theksohet në komunikatën e KFOR-it.
KFOR-i, sipas komunikatës, vazhdon aktivitetet e veta për të ruajtur një ambient të qetë dhe të sigurt dhe për të garantuar liri të lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë, “në përputhje me mandatin e vetë sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.
“Çdo vendim rreth pozitës së ardhshme të KFOR-it do të merret nga Këshilli i Atlantikut të Veriut dhe do të mbetet çështje që varet nga gjendja e sigurisë në terren”, potencohet në komunikatën e KFOR-it.