Më 1 nëntor, shtetasi serb i Kosovës Millosh Vukashinoviq, u plagos dhe u kidnapua nga xhandarmëria e Serbisë, në zonën e njohur si “pika zero” në afërsi të Leposaviqit, zonë kjo që i përket Republikës së Kosovës. Por, ky nuk ishte rasti i vetëm që njerëz të uniformuar të Serbisë hynë brenda territorit të Kosovës në periudhën e fundit.
Forca të armatosura serbe raportohet se janë parë brenda territorit të Kosovës, përkatësisht në fshatin Metergoc të Podujevës, që është zonë kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
E kjo u konfirmua në një përgjigje për Klankosova.tv nga misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë.
Sipas KFOR, xhandarët serbë sapo kishin kuptuar se e kishin kaluar kufirin, janë kthyer në Serbi.
“Ne jemi në dijeni të kësaj ngjarjeje më 15 tetor. Ne ishim në kontakt me Forcat e Armatosura Serbe. Bazuar në informacionin e tyre, personeli i xhandarmërisë serbe po ndiqte individë të përfshirë në aktivitete të paligjshme të prerjes së pyjeve”, thuhet në përgjigje.