BallinaKëshilltari i Thaçit sulmon opozitën: Anarkistët, reketashët dhe të korruptuarit s’i do...

Këshilltari i Thaçit sulmon opozitën: Anarkistët, reketashët dhe të korruptuarit s’i do populli

Këshilltari politik i zëvendëskryeministrit Hashim Thaçit, Abelard Tahiri, ka reaguar ndaj deklaratave të Ylli Hoxhës së Vetëvendosjes për Raportin e Progresit të këtij viti. Tahiri në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se kemi një opozitë që në njërën anë akuzon Qeverinë dhe në anën tjetër nuk lë ditë të vetme pa sulmuar institucionet e Kosovës, qoftë Kuvendin, qoftë Policinë, qoftë Prokurorinë e deri te plani ogurzi për ta djegur Gjykatën Kushtetuese.

Për Ylli Hoxhën ka thënë se vetë ka qenë pjesë e delegacionit që në Vjenë ka zhvilluar bisedimet për statusin politik të Kosovës. “Më saktësisht, ai ka qenë pjesë e delegacionit që ka negociuar për të drejtat e komuniteteve. Këto bisedime rezultuan me “Pakon e Ahtisaarit”, që ka shërbyer si bazë për shpalljen e pavarësisë dhe të ndërtimit të shtetit të Kosovës. Kaq për konsekuencën politike të Ylli Hoxhës”.

Ja statusi i plotë i këshilltarit të Thaçit, Abelard Tahiri:

“Pafytyrësia e opozitarëve të prirë nga Vetëvendosje nuk ka kufij.
Pa kurrfarë turpi del dhe e komenton raportin e progresit një person i dështuar në politikë, që ka ndërruar shumë adresa dhe tash po e provon fatin mos pahiri po i ecë në politikë edhe duke ushtruar dhunë. Për t’i hyrë në qejf kolegëve nga “partia” e fundit të cilës i është bashkuar, në mënyrë të panatyrshme ky person tash është bërë edhe predikues, duke mos lënë njeri pa quajtur tradhtarë apo imoralë. Por, këtë dështak e kemi parë duke hedhur gurë edhe kundër policisë dhe prokurorisë së shtetit. E kjo dhunë e ushtruar kundër institucioneve të shtetit prej opozitës është kritikuar ashpër nga vetë “Raporti i Progresit”, që i ka kushtuar një vëmendje të veçantë sjelljes së opozitës dhe dhunës së tyre kundër institucioneve shtetërore.

Pra, kemi një opozitë që në njërën anë akuzon Qeverinë dhe në anën tjetër nuk lë ditë të vetme pa sulmuar institucionet e Kosovës, qoftë Kuvendin, qoftë Policinë, qoftë Prokurorinë e deri te plani ogurzi për ta djegur Gjykatën Kushtetuese.

Ky person vetë ka qenë pjesë e delegacionit që në Vjenë ka zhvilluar bisedimet për statusin politik të Kosovës. Më saktësisht, ai ka qenë pjesë e delegacionit që ka negociuar për të drejtat e komuniteteve. Këto bisedime rezultuan me “Pakon e Ahtisaarit”, që ka shërbyer si bazë për shpalljen e pavarësisë dhe të ndërtimit të shtetit të Kosovës. Kaq për konsekuencën politike të Ylli Hoxhës.
Sa për mendimet e tij për “Raportin e Progresit”, faktet thonë ndryshe:

Për herë të parë në Raportin e Progresit për Kosovën, opozita kritikohet më shumë se Qeveria. Veprimet e opozitës konsiderohen si veprime kundër vlerave evropiane. Më saktësisht, ja çfarë thotë “Raporti” për opozitën:
– Vonesa në krijimin e Kuvendit pas zgjedhjeve të vitit 2014 ngadalësoi procesin e reformave në Kosovë (faqe 6);
– Anëtarët e opozitës kanë qenë të përfshirë në incidente të dhunës kundër Qeverisë (faqe 4);
– Obstruksionet e dhunshme të seancave plenare nga anëtarët e opozitës kanë ndikuar negativisht në funksionimin e Kuvendit. Veprimet e tilla shkojnë kundër vlerave evropiane (faqe 6);
– Ndërprerjet e fundit të seancave plenare nga opozita, përfshirë edhe me mjete të dhunshme, kanë ndikuar negativisht në funksionimin e Kuvendit dhe kanë dëmtuar besimin në gatishmërinë e opozitës për të marrë pjesë në debat demokratik. (faqe 7)

Populli i Kosovës e ka dëshmuar me votë se s’do që t’i afrohen pushtetit anarkistët, “reketashët” dhe të korruptuarit, ndërkohë që mazhoranca do të qëndrojë e palëkundur dhe do t’i tejkalojë me sukses kërcënimet e këtyre të fundit. Ju doni që të dështojë shteti Kosovës, por ju siguroj se ai vetëm sa do vijë duke u konsoliduar. Prandaj, përgatituni për dështimin e radhës. Dhimbjen e hiqni lehtë, sepse e tejkaloni duke pirë sërish raki. Më falni, se u habita: Çaj, mendova. Shëndet!”, ka shkruar këshilltari i Thaçit, Abelard Tahiri.