Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti, ka kërkuar shkarkimin e ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj, pas deklaratave për ambasadorin ziveran Jean Humbert Lebet, se duhet larguar nga misioni i tij diplomatik.
Hoti, i ka dalë në përkrahje ambasadorit zviceran lidhur me qëndrimin e tij për shpenzimet e parasë publike, duke i konsideruar me vend kritikat e bëra ndaj polititikanëve.
“Është i pa precedent rasti që një ministër i Qeverisë së Kosovës kërkon largimin e një ambasadori. Dhe atë të Zvicrës, ku janë mbi 200 mijë qytetarë të Kosovës. Ne paratë që Zvicra shpenzon në Kosovë përfshihen edhe taksat e këtyre 200 mijë qytetarë të Kosovës që i paguajnë në Zvicër. Prandaj, është më së legjitime të kërkohet llogari dhe shpenzim adekuat nga ana e Ambasadorit”, u shpreh ai.
Tutje, Hoti ka thënë se “vetëm shkarkimi këtij ministri mund te jetë i mjaftueshëm si kërkim falje ndaj një vendi mik si Zvicra.”
Edhe Ambasadori britanik në Kosovë Ruairi O’Connelli, i ka dalë në mbështetje ambasadorit zviceran Jean Humbert Lebet, një ditë pasi kritikoi udhëheqësit e shtetit për keqpërdorim të parasë publike.



