Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë-Dega në Lipjan caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë zyrtarëve policorë të cilët gjenden nën masën e ndalimit si të dyshuar për “Vrasje nga pakujdesia” të të riut Agon Zejnullahu në Lipjan.
Kështu konfirmoi për “Betimi për Drejtësi“, Kaltrina Shala, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se Prokurori i shtetit e ka bërë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve”, konfirmoi Shala.
I riu në Lipjan vdiq në orët e para të së hënës (7 korrik) pasi u arrestua nga policia nën dyshimin se në gjendje të dehur po sulmonte automjete e kalimtarë. Lidhur me rastin, pesë zyrtarë policorë janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për “Vrasje nga pakujdesia”, ndërkaq Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tyre.
Avokati i Popullit ka njoftuar se ka nisur hetimet për të vlerësuar nëse ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut në këtë rast.
Për rastin reagoi edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, cili ka thënë se kushdo që rezulton fajtor për vdekjen e të riut në Lipjan i cili ndërroi jetë pas arrestimit, duke të marrë dënimin e merituar.
Kurse, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se dje (e hënë) është kryer autopsia e të ndjerit Agon Zejnullahu, por që raporti preliminar i këtij rasti ende nuk është dërguar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.