Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për të dyshuarin A.B., i cili ndodhet në ndalim 48-orësh, nën dyshimin e bazuar për kryerjen e veprës penale “Fajdeja”, sipas nenit 331 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit të prokurorisë, A.B. dyshohet se nga viti 2019 deri më 6 gusht 2025, në Prizren dhe në fshatin Bllacë të Komunës së Suharekës, ka ushtruar fajde ndaj një qytetari me inicialet B.L., duke përfituar shuma të mëdha parash përmes kërcënimeve dhe presionit psikologjik, raporton lajmi.net
I dyshuari fillimisht kishte dhënë një shumë prej 100 euro si borxh, por më pas kishte filluar të kërkojë nga viktima shumë më të mëdha, duke e detyruar atë që gjatë viteve t’i paguante mbi 10,000 euro në emër të borxhit dhe kamatës. Sipas prokurorisë, në një rast, madje edhe gjatë një rasti vdekje në familjen e viktimës, i dyshuari e kishte kërcënuar duke i kërkuar 8,000 euro borxh të supozuar.
Më 6 gusht 2025, gjatë zbatimit të masave të veçanta hetimore, i dyshuari u arrestua në flagrancë nga policia, në momentin kur pranoi 5,000 euro nga viktima si “kamatë”, duke i shkaktuar këtij të fundit dëm të konsiderueshëm material.
Prokuroria njofton se është e vendosur të vazhdojë luftën kundër veprave penale, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë personave që bien ndesh me ligjin./Lajmi.net/