Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri i Kuvendit të Kosovës, sot në mbledhjen e kryesuar nga kryetari Muhamet Mustafa, e ka shqyrtuar shkresën e Agjencionit Kosovar të Privatizimit (AKP), lidhur me ndërmarrjen shoqërore “Trepça”. Në këtë takim, ky komision është informuar nga AKP-ja lidhur me vendimin e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme (DHPGjS) për refuzimin e ankesës së AKP-së për shtyrjen e afatit të riorganizimit të ndërmarrjes Trepça. Për gjendjen në këtë ndërmarrjeje dhe vendimin e AKP-së, njoftoi drejtori, Ahmet Tmava. Ai fillimisht tha se ndërmarrja “Trepça”, ndonëse në kushte jo të favorshme për punë, vitin e ka përmbyllë me sukses, si në prodhim ashtu edhe në menaxhimin e resurseve të saja. Duke shprehur shqetësimin e tij si, dhe të punëtorëve (2000 sosh), të kësaj ndërmarrjeje, ai më tej shtoi se në Ligjin për riorganizimin e ndërmarrjes “Trepça”, është paraparë që riorganizimi i ndërmarrjes të bëhet deri më 2 prill. Duke pasur parasysh rrethanat në të cilat ka funksionuar ndërmarrja, tha në vijim Tmava, ne jemi ankuar në AKP që ky afat të zgjatet. Mirëpo AKP-ja, ka sqaruar se ky afat jo që nuk është zgjatur nga DHPGjS-ja, por e ka shkurtuar, nga 2 prill në 2 shkurt. Duke i bërë thirrje komisionit që të ndikojë në revidimin e vendimit të DHPGjS-së, sipas të cilit pas datës 2 shkurt, “Trepça” shkon në likuidim, Tmava në fund u shpreh:” Ndërmarrja shoqërore “Trepça”, është me interes nacional dhe duhet ruajtur me çdo kusht”.
Anëtarët e komisionit, ndërkaq, duke shprehur mospajtim dhe indinjatë të thellë me vendimin e DHPGjS-së, u zotuan se do të angazhohen pareshtur për mbrojtjen e ndërmarrjes “Trepça” nga likuidimi. Lidhur me këtë, komisioni vendosi që fillimisht, mospajtimin e tij ta shfaqë me një shkresë zyrtare dërguar AKP-së, ministrisë përkatëse dhe kryetarit të Qeverisë, Isa Mustafa. /Indeksonline/