Shkruan: Ardian Bajraktari
Në procesin gjyqësor ndaj katërshes së UÇK-së në Hagë, Prokuroria po tenton të cenojë sigurinë juridike, parimin e kontradiktës së procedurës, të drejtën për mbrojtje efektive juridike si dhe integritetin e procesit gjyqësor.
Rregulla 136 e Rregullores së Procedurës dhe Provave, rregullon në mënyrë të qartë momentin e mbylljes së çështjes gjyqësore dhe kufijtë procedural pas deklaratave përmbyllëse.
Sipas kësaj rregulle, pas deklaratave përmbyllëse, Kryetari i Trupit Gjykues e deklaron të mbyllur çështjen, veprim i cili më 18 shkurt 2026 është bërë dhe se pas kësaj faze, Trupit gjykues nuk mund t’i paraqitet asnjë parashtrim tjetër, përveç në rrethana të veçanta dhe me arsye të vlefshme. Po ashtu, Trupi gjykues nuk mund të pranojë prova apo të dëgjojë dëshmi të tjera, përveç nëse kjo diktohet nga rrethana të jashtëzakonshme.
Në procesin gjyqësor ndaj z. Thaçi dhe të tjerëve, paraqitja e provave apo parashtrimeve të tjera, pas shpalljes së mbylljes së çështjes përbën devijim të drejtpërdrejtë nga Rregulla 136.
Për më tepër, duhet vlerësuar nëse është konstatuar ekzistimi i rrethanave të veçanta, po ashtu, nëse është dhënë arsyetim i detajuar dhe specifik mbi domosdoshmërinë e pranimit të materialit të ri, pastaj nëse është rihapur formalisht shqyrtimi gjyqësor, si dhe nëse Mbrojtjes i është garantuar mundësi reale dhe efektive për kundërshtim të plotë të materialit.
Kjo rregull, nuk është formalitet procedural, por ka karakter garantues, përmes saj mishërohet parimi i përfundimit procedural dhe, mbi të gjitha, mbrohet barazia e armëve ndërmjet palëve në procedurë.
Fakti që prokuroria ka pasur kohë të mjaftueshme në dispozicion, madje dukshëm më shumë se mbrojtja, e bën vështirë të besueshme përmbushjen e kushteve të cekura më lart për pranimin e çfarëdo materiali të dorëzuar nga ana e saj pasi është konstatuar mbyllja e procesit nga ana e Trupi gjykues.
Në procese gjyqësore me kompleksitet të lartë dhe rëndësi të veçantë publike, si ato ndaj katërshes së UÇK-së, respektimi rigoroz i fazave procedurale është thelbësor për legjitimitetin e vendimmarrjes.
Çdo devijim nga Rregulla 136 e Rregullores së Procedurës dhe Provave, është shkelje thelbësore e procedurës, e cila pashmangshëm do të ndikonte në garantimin e një vendimi të drejtë gjyqësor.
Pranimi eventual i çfarëdo materiali të Prokuririsë pas 18 shkurtit 2026, do ta cenonte sigurinë juridike, parimin e kontradiktës së procedurës, të drejtën për mbrojtje efektive dhe integritetin e procesit gjyqësor.