Kërcënimet me vdekje ndryshojnë qëndrimin e Corinthians për Memphis Depay

Corinthians tërhiqet nga vendimi për largimin e yllit holandez dhe i ofron kontratë të re dyvjeçare
Presidenti i Corinthians, Osmar Stabile, ka konfirmuar vazhdimin e kontratës me sulmuesin holandez Memphis Depay, vetëm një javë pasi klubi kishte vendosur të mos rinovonte marrëveshjen me të. Vendimi i parë kishte shkaktuar zemërim të madh te tifozët, ndërsa drejtuesit e klubit kishin marrë madje edhe kërcënime me vdekje.
Në deklaratat e raportuara nga gazeta spanjolle “Marca”, Stabile konfirmoi se ish-futbollisti i Atletico Madridit dhe Barcelonës do të nënshkruajë një kontratë të re dyvjeçare, e cila do ta mbajë te Corinthians deri në mesin e vitit 2028. Vendimi është miratuar nga bordi drejtues i klubit gjatë një mbledhjeje të zhvilluar të hënën.
“Falë Zotit, gjithçka shkoi mirë. Morëm votat e nevojshme për miratim dhe tani ndihemi të lehtësuar që arritëm ta mbyllim këtë çështje”, deklaroi presidenti i Corinthians.
Stabile bëri të ditur gjithashtu se Depay, i cili luan për klubin brazilian që nga shtatori i vitit 2024, ka pranuar një ulje të konsiderueshme të kushteve financiare në kontratën e re, pasi marrëveshja e tij e mëparshme kishte përfunduar në fund të korrikut.
Vetëm të martën e kaluar, Corinthians kishte njoftuar zyrtarisht se nuk do ta vazhdonte kontratën me sulmuesin 32-vjeçar, duke e arsyetuar vendimin me situatën financiare të klubit.
Në komunikatën e tij, Corinthians kishte theksuar se “marrja përsipër e një kontrate të re të këtyre përmasave, në rrethanat aktuale, nuk është në përputhje me stabilitetin financiar të nevojshëm për të garantuar qëndrueshmërinë e klubit”.
Megjithatë, reagimi i tifozëve e detyroi klubin të ndryshonte kurs. Drejtuesit morën kërcënime të drejtpërdrejta, ndërsa një grup ultrasish u mblodh edhe para shtëpisë së presidentit Stabile, duke ngritur pankarta me mesazhe të ashpra si: “Largohuni, minj” dhe “Disiplina ka marrë fund”.

Lexo edhePo afrohet: zbulohet data e rikthimit të Ronaldos në fushën e blertë
Edhe vetë Depay e kishte kritikuar publikisht klubin, duke e akuzuar se nuk kishte respektuar premtimin e dhënë.
“Ndihem jashtëzakonisht i zhgënjyer nga vendimi i Corinthians për të mos respektuar marrëveshjen tonë për zgjatjen e kontratës edhe për dy vite. Ky rinovim ishte dakorduar qartë me presidentin e klubit, si dhe me departamentet sportive, ligjore dhe financiare, përpara se disa persona të vendosnin ta shkelnin këtë zotim”, kishte shkruar holandezi në rrjetet sociale.
Pak kohë më vonë, Corinthians rihapi negociatat me futbollistin dhe palët arritën marrëveshje që Depay të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës së drejtuar nga ish-trajneri i Kombëtares së Brazilit, Fernando Diniz.
“Pas vlerësimeve dhe punës së bërë në sektorët ligjorë, administrativë dhe financiarë, u krijua mundësia që klubi ta përballojë vlerën e kësaj kontrate”, shpjegoi Stabile.
Memphis Depay ka zhvilluar deri më tani 79 ndeshje me fanellën e Corinthians, duke realizuar 20 gola dhe 15 asistime.
Sulmuesi holandez ka dhënë gjithashtu një kontribut të drejtpërdrejtë në sukseset e skuadrës në Campeonato Paulista dhe në triumfin në Copa do Brasil 2025. /GazetaExpress/














