Kryeshefi Ekzekutiv i KEK sh.a., z. Gramos Hashani, së bashku me Kryesuesin e Bordit të Drejtorëve, z. Valdrin Krasniqi, dhe bashkëpunëtorë të menaxhmentit, mirëpritën në një vizitë zyrtare delegacionin e Bashkimit Evropian të udhëhequr nga z. Riho Terras, Raportues i Përhershëm i Parlamentit Evropian për Kosovën.
Gjatë takimit, z. Hashani paraqiti një pasqyrë të detajuar mbi operimet në minierë dhe në të dy termocentralet – Kosova A dhe Kosova B – si dhe mbi projektet madhore që KEK është duke i zbatuar pas disa dekadave të operimit të njësive gjeneruese. Ai theksoi se modernizimi, rritja e efikasitetit dhe pajtueshmëria mjedisore përbëjnë prioritete kyçe për sigurinë e furnizimit me energji dhe për funksionimin afatgjatë të kapaciteteve ekzistuese.
Në mënyrë të veçantë, Kryeshefi nënvizoi rëndësinë strategjike të projektit për instalimin e Elektrofiltrave të rinj dhe të sistemit DeNOx në njësitë B1 dhe B2 të Termocentralit Kosova B – investime thelbësore për reduktimin e pluhurit dhe oksideve të azotit, duke siguruar avancimin drejt standardeve mjedisore të Bashkimit Evropian. Ky projekt po mundësohet përmes fondeve IPA të BE-së dhe përbën ndër ndërhyrjet më të rëndësishme mjedisore të dekadave të fundit në vend.
Z. Hashani shprehu falënderimin e tij për Bashkimin Evropian dhe Zyrën e BE-së në Prishtinë për mbështetjen e vazhdueshme politike, teknike dhe financiare, duke theksuar se kjo përkrahje po kontribuon drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së ajrit, rritjen e sigurisë së operimit dhe ngritjen e standardeve të performancës së KEK-ut.
Në vijim, delegacioni u njoftua edhe me projektet e tranzicionit energjetik, përfshirë Parkun Solar prej 100 MW “Solar4Kosovo I Photovoltaic”, një nga iniciativat më të mëdha të energjisë së ripërtëritshme në Kosovë, që shënon hap të rëndësishëm drejt diversifikimit të burimeve dhe reduktimit të varësisë nga kapacitetet termike.
KEK theksoi gjithashtu sfidat financiare me të cilat përballet korporata për shkak të çmimit shumë të ulët të shitjes së energjisë elektrike (vetëm 29.5 euro/MWh), duke potencuar se zbatimi i të gjitha projekteve strategjike kërkon mbështetje shtesë nga partnerët ndërkombëtarë dhe donatorët zhvillimorë. Në këtë kuadër, KEK ka dorëzuar përmes Ministrisë së Ekonomisë një sërë propozimesh për projekte strategjike në kuadër të programit IPA 2025–2027.
Në përfundim të vizitës, të dyja palët vlerësuan se bashkëpunimi ndërmjet KEK-ut dhe institucioneve të Bashkimit Evropian është duke avancuar me ritme të qëndrueshme dhe mbetet thelbësor për modernizimin e sektorit të energjisë në përputhje me praktikat më të mira evropiane.