Në konferencë vjetore për qeverisjen lokale, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) publikoj raportin për vitin 2014 të 18 komunave (nga 38 gjithsej) para udhëheqësve komunal, qendror dhe organizatave të shoqërisë civile. Përpos problemeve kryesore që u listuan në këtë raport për secilën prej komunave, evidentohet edhe gjendja e premtimeve zgjedhore që secili kryetari i komunës kishte bërë në kohë fushate.
Në këtë konferencë u paraqit edhe qeverisja e komunës së Skënderajt.
Kuvendi Komunal i Skenderajt gjatë këtij viti është përballur me disa probleme për shkak të neglizhencës së kryesisë dhe sekretariatit të Kuvendit në disa çështje të cilat janë zgjidhur vetëm pas ndërhyrjes së medieve, Shoqërisë Civile apo partive politike opozitare. Ndër problemet kryesore veçohen mosvënia e fotografisë së Presidentes sipas Ligjit dhe Kushtetutës në sallën e mbledhjeve të kuvendit, miratimi i disa vendimeve kontradiktore rreth dhënies në shfrytëzim apo këmbimit të pronës publike, dhe dhënia e mandatit të këshilltarit komunal të dy këshilltarëve të cilët kanë qenë shërbyes civil dhe kanë marrë pagë nga buxheti i shtetit në kundërshtim me Ligjin për shërbyesit civil të Kosovës.
Megjithatë, Kuvendi Komunal i Skenderajt ka pasur edhe të arriturat e veta gjatë këtij viti, si në respektimin e rregulloreve të punës ashtu edhe në ngritjen e transparencës. Mediave dhe monitoruesve të organizatave të ndryshme joqeveritare u janë ofruar kushte komode në përcjelljen e seancave. Sekretaria e Kuvendit me kohë i ka furnizuar palët e interesuara me materialin e mbledhjeve, ndërsa mbledhjet publike janë paralajmëruar me kohë sipas dispozitave dhe rregulloreve në fuqi. Po ashtu, edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal është treguar i kujdesshëm në menaxhimin e seancave duke mos lejuar fjalor apo paraqitje jo etike të këshilltarëve në seancat e kuvendit, si dhe ka ndërmarrë masa ligjore duke i hequr
nga mëditjet ata këshilltarë që pa arsye i kanë shpërfillur seancat e kuvendit. Kryesuesi po ashtu ka pasur një afërsi bashkëpunimi dhe kod të mirësjelljes në nivel të lartë me monitoruesit e punës së Kuvendit Komunal. Kryetari i Skenderajt nuk ka ushtruar për asnjë ditë funksionin e tij, pasi është rizgjedhur në krye të Komunës. E vetmja paraqitja e tij ka qenë dhënia e betimit, më 3 janar 2014. Pra, në total, kryetari i Skenderajt ka munguar për 18 muaj, duke llogaritur edhe mungesën prej 6 muajve nga mandati i kaluar. Megjithëkëtë,
të gjitha detyrat dhe autorizimet i ka kryer nënkryetari, për 18 muaj rresht, ani pse Neni 60, pika 60.3 të LVL-së, nuk përcakton qartë se për sa kohë nënkryetari mund të zëvendësojë kryetarin.
Problemet kryesore të komunës
Me gjithë përparimet në disa sektorë, Komuna e Skenderajt edhe këtë vit është përballur me probleme të mëdha, kryesisht me ato socio-ekonomike dhe infrastrukturore. Rritja e buxhetit të përgjithshëm nga viti në vit nuk ka ndikuar në eliminim e problemeve që e përcjellin komunën që nga paslufta. Edhe më tej ka shkallë të lartë të braktisjes së shkollimit, mungesë të ujit të pijes dhe kanalizimit, si dhe menaxhim të dobët të buxhetit, ku përveç rritjes së të hyrave vetjake, nuk është vërejtur ulje e shpenzimeve në shumë kategori si dhe nuk është vërejtur ngritje e investimeve kapitale.
Pesë problemet kryesore:
- Problemet në arsim si braktisja e shkollimit, pakënaqësitë me konkursin e punëtorëve;
- Mungesa e ujit të pijes në rreth 80 % të fshatrave ose 65 % e popullsisë;
- Paaftësia për të zbatuar Rregulloren Komunale për transportin publik;
- Mungesa e të hyrave vetanake nga qiraja dhe koncesioni;
- Problemet me ndërtimet pa leje.
Të arriturat në vitin 2014
Komuna e Skenderajt gjatë këtij viti ka arritur progres në administratën komunale duke bërë që qytetarët të pajisen shumë shpejt me dokumente të ndryshme, duke i shmangur kështu radhët e gjata të qytetarëve që presin për një certifikatë.
Po ashtu , funksionalizimi i objektit të ri të administratës komunale, ekzekutivit dhe kuvendit ka bërë që krahas përmirësimit të shërbimit ndaj qytetarëve, të ketë edhe kushte komode pune për punëtorët e administratës publike, por edhe zvogëlim të shpenzimeve komunale, pasi më parë administrata komunale kishte qenë e shpërndarë në tri objekte të ndryshme.
Vlerësimi për përformancë në transparencë
Kryetari i Komunës së Skenderajt për rrethana tashmë të njohura për publikun nuk ka qenë në vendin e tij të punës, ndërsa sipas Ligjit, detyrën e tij e ka vazhduar nënkryetari.
Nënkryetari i komunës ka qenë më bashkëpunues me qytetarët dhe shoqërinë civile, dhe ka raportuar me rregull pranë Asamblesë Komunale dhe ka zhvilluar takime me qytetarë, mirëpo deri më tani nuk ka ndërmarrë asnjë hap për përmirësimin e transparencës sa I përket qasjes në dokumente publike. Edhe më tej Komuna e Skenderajt nuk lejon qasje në dokumente publike.
Shumica e drejtorëve të Drejtorive kanë qenë transparentë dhe bashkëpunues me mediat, OJQ-të dhe qytetarët, mirëpo edhe më tej shqetësues mbetët fakti se Drejtoria për Financa nuk i bënë publike shpenzimet e buxhetit sipas të gjitha kategorive, kodeve dhe nënkodeve, por vetëm ato gjenerale. Ndërsa Drejtoria e Arsimit edhe më tej është e mbyllur për opinionin publik. Është e vetmja drejtori tek e cila qytetarët vazhdimisht shfaqin ankesa të ndryshme, ndërsa zyra e drejtorit në pjesën më të madhe të orarit të punës është e mbyllur.
Këshilltarët e Asamblesë Komunale kanë qenë konstruktiv sa i përket seancave, mirëpo ata edhe më tej mbetën nën ndikimin e partisë që e përfaqësojnë duke iu shmangur kështu kërkesave të qytetarëve dhe përfaqësimit dinjitoz të interesave të tyre. Që nga marrja e mandatit, nuk është veçuar asnjë çështje që është ngritur nga ana e tyre, përveç disa pyetjeve se në planin zhvillimor të komunës dhe në planin e investimeve kapitale a është paraparë ndonjë investim në zonën që ata përfaqësojnë.
Kryesuesi i Kuvendit kohëve të fundit ka ndërmarrë disa hapa konkret në përmirësimin e menaxhimit të seancave publike. Kuvendi i Skenderajt vlerësohet për zbatim të Rregulloreve të punës, fjalorit të pastër të përdorur, debatit konstruktiv, respektimit të Rregullores për transparencë, bashkëpunimit dhe ofrimit të kushteve për mediet dhe shoqërinë civile.
Transparenca në Komunë
Buxheti i Komunës së Skenderajt gjatë vitit që e lamë pas ka shënuar një ngritje të lehtë, mirëpo ekzekutivi komunal nuk është treguar transparent me publikun sa i përket shpenzimit të tij. Në shumë kategori kryesore përveç pagave dhe mëditjeve ku ka një system unik si në tërë Kosovën, në kategoritë tjera shpenzimi i buxhetit është publikuar vetëm në mënyrë gjenerale. Nuk dihet vlera e shpenzimeve në projekte të ndryshme kapitale, nuk dihet se sa para janë shpenzuar për kategori të ndryshme për mallra dhe shërbime, e po ashtu nuk specifikohen as shpenzimet e subvencioneve dhe transefereve. Po, ashtu mediet dhe shoqëria civile kanë kërkuar që raporti vjetor i shpenzimit të buxhetit të bëhet në formë analitike me kode dhe nënkode. Kjo kërkesë është përsëritur që nga viti 2012, mirëpo zyrtarët komunal nuk e kanë përfillur këtë kërkesë me arsyetimin se raporti analitik u merr shumë kohë zyrtarëve të Drejtorisë për Financa. Seancat plenare të Kuvendit kanë qenë të hapura për publikun. Secila palë e interesuar ka pasur qasje në Kuvend, njohuri për rendin e ditës dhe çështjet për diskutim dhe aprovim.
Janë paralajmëruar seancat brenda afateve të parapara ligjore si dhe asnjëherë nuk ka pasur ankesa nga këshilltarët për mos-pajisje apo vonesa në shpërndarjen e materialit.
Edhe OJQ-të që e monitorojnë punën e Kuvendit gjithnjë janë pajisur me kohë me
material dhe janë njoftuar me kohë për orarin e mbajtjes së seancave si të Komitetit për Politikë e Financa ashtu edhe për ato të Kuvendit.
Komuna e Skenderajt ka pasur ngecje në formimin e Komiteteve Konsultative, ndonëse ato janë formuar vetëm sa për të përmbushur një obligim ligjor, pasi ato janë shumë pasive.
Edhe viteve të kaluara ato nuk kanë zhvilluar ndonjë aktivitet, ndërsa gjatë këtij viti nuk dihet nëse kanë mbajtur ndonjë mbledhje të rregullt, pasi nuk kanë pasur asnjë komunikim me mediat dhe organizatat e shoqërisë civile. Madje, përveç Komiteteve obligative të cilat janë formuar me kohë , në formimin e Komiteteve Konsultative ka pasur vonesa për muaj të tërë . Kuvendi Komunal nuk është treguar transparent sa i përket formimit të këtyre komiteteve pasi në Komisionet për formimin e tyre asnjëherë nuk janë përfshirë përfaqësuesit e shoqërisë civile, madje në vend të këtyre të fundit janë futur emra të nëpunësve apo shërbyesve civil, mësimdhënësve dhe anëtarëve pasiv të partive politike.
Komuna e Skenderajt është njëra ndër komunat më me së paku qasje në dokumente publike në Kosovë. Nga 20 kërkesa të ndryshme të medieve, OJQ-ve dhe subjekteve politike për këtë vit në asnjërën prej tyre nuk është lejuar qasje vendim ky që është në kundërshtim të plotë me Ligjin për Qasje në Dokumente Publike. Edhe pse insistimi i shoqërisë civile për këtë problematikë ka qenë sistematik, megjithatë nuk është shënuar asnjë progres në këtë drejtim. Në të shumtë n e rasteve nuk është kthyer përgjigje fare, ndërsa ka pasur raste kur përgjigjet kanë qenë banale si për shembull dokumenti i kërkuar ndodhet në bodrumin e komunës dhe është vështirë për ta gjetur, apo në rastet e refuzimit me arsyetim poashtu banal se gjoja ato dokumente po përdorën për qëllime propagandistike dhe komerciale. Më e mbyllura në këtë aspekt ka qenë Zyra e Prokurimit në të cilën palët e interesuara deri më tani nuk e kanë pasur qasjen, madje as në një lëndë apo dokument të vetëm, ndërsa Drejtoritë Komunale edhe pse nuk u janë përgjigjur kërkesave për qasje, ka pasur raste kur drejtorë t janë përgjigjur gojarisht në pyetjet apo kërkesat për çështje të caktuara.
Komuna e Skenderajit, ka zyrën për informim në kuadër të së cilës është edhe mirëmbajtja e ueb-faqes dhe azhurnimi i të dhënave në të. Përveç në kategorinë e lajmeve ku publikohen ngjarjet dhe aktivitetet ditore të komunës, si dhe paralajmërimin dhe publikimin e seancave të Komitetit për Politikë dhe Financa dhe Asamblesë Komunale, në kategoritë tjera të rëndësishme nuk ka një mirëmbajtje të duhur.
Publikimi i planifikimit të buxhetit, realizimit të buxhetit dhe shpenzimit të buxhetit nuk ndodhë asnjë herë, ndërsa nga Zyra e Prokurimit në ueb-faqen e komunës nuk ka asnjë informacion as për kontratat as për tenderët.
Azhurnimi i fundit i prokurimit në ueb- faqen e komunës i takon vitit 2011 me një
informacion të përgjysmuar.
Llogaridhënia në Komunë
Nënkryetari i Komunës së Skenderajt shpesh ka zhvilluar takime me qytetarë pothuaj në të gjitha zonat e Komunës, mirëpo ato takime nuk kanë pasur karakter raportimi, por karakter reciprok informimi për nevojat imediate të qytetarëve. Opozita këto takime i ka vlerësuar si takime elektorale ani pse ato janë zhvilluar qoftë para zgjedhjeve lokale qoftë pas marrjes së pushtetit dhe konstituimit të organeve të pushtetit lokal.
Komuna e Skenderajt, përkatësisht nënkryetari i komunës shpesh kanë qenë objekt I raportimeve, reportazheve dhe temave të ndryshme mediatike për zhvillimet në komunë. Kritikat e medieve dhe shoqërisë civile për keqmenaxhim të parasë publike, pronës publike, këmbimit dhe koncesionimit në media shpesh janë përcjellë me kundërkritika dhe reagime nga ana zyrtarëve komunal duke përfshirë edhe nënkryetarin e komunës.
Kryetari i Komunës së Skenderajt për rrethana të njohura nuk ka raportuar në Asamble, ndërsa nënkryetari i cili sipas Ligjit është pjesë e përfaqësimit të Zyrës së Kryetarit, rregullisht ka raportuar në Asamble sipas afateve të parapara e pothuaj se ka qenë I pranishëm në të gjitha seancat e Kuvendit Komunal me përjashtim në dy raste.
Komuna e Skenderajt gjatë vitit ka mbajtur gjashtë (6) takime me publikun, ndërsa ka marrë në konsideratë rekomandimin e shoqërisë civile që takimet me qytetarë të organizohen në fshatra apo Bashkësi Lokale dhe kjo ka dhënë rezultat pasi prania e qytetarëve në këto dëgjime ka qenë e kënaqshme. Mesatarja e pjesëmarrjes ka qenë 40 qytetarë për një takim. Po ashtu, komuna ka marrë parasysh disa kërkesa të qytetarëve për projekte të ndryshme infrastrukturore dhe i ka renditur ato në listën e prioriteteve në kategorinë e investimeve kapitale për vitin e ardhshëm.
Qytetarët e Skenderajt nga ana e ekzekutivit janë konsultuar në nivel të kënaqshëm duke I marrë parasysh kërkesat e tyre, natyrisht ato kërkesa të cilat i përballon buxheti i komunës.Për dallim nga ekzekutivi, fatkeqësisht legjislativi është treguar tejet pasiv sa i përket konsultave me qytetarë. Një gjë të tillë e kanë aplikuar vetëm këshilltarët e partive politike opozitare LDK dhe LVV të cilët kanë pasur takime me qytetarë, ndërsa partia në pushtet e cila e ka shumicën absolute, takimet me qytetarë i ka zhvilluar vetëm gjatë fushatës elektorale.
Formimi i Këshillave të Fshatrave
Ndër çështjet me më rëndësi që e kanë karakterizuar administratën komunale, kanë qenë formimi i Këshillave të fshatrave dhe formimi i disa komiteteve konsultative. Edhe përkundër disa përpjekjeve të ekzekutivit në bashkëpunim me legjislativin, këshillat e fshatrave nuk janë themeluar ende, ndërsa me kontributin edhe të shoqërisë civile ku janë organizuar takime avokuese për këtë çështje, është arritur që ajo të jetë prioritare, ndërsa është planifikuar që formimi i Këshillave të Fshatrave të futet si pikë kryesore e rendit të ditës në njërën prej dy seancave të fundit të Asamblesë Komunale për këtë vit. Po ashtu edhe Komitetet konsultative janë prioritet për seancat e mbetura.
Zbatimi i Rregullores për Transport Publik
Sfidë e madhe për administratën komunale për këtë vit, po ashtu ka qenë edhe zbatimi i Rregullores Komunale për Transportin Publik e cila parasheh largimin e kombibusëve nga operimi. Asambleja Komunale me propozimin e ekzekutivit ka marrë vendim për largimin e kombibusëve, mirëpo tentimi për ta bërë një gjë të tillë është karakterizuar me protesta.
Drejtoria e Shërbimeve Publike ka vënë në aksion Inspektorët të cilët gjatë vitit kishin ndërmarrë së paku dy aksione, mirëpo pa mundur ta zgjidhin çështjen, ndërsa kombibusëve u është dhënë një ultimatum për mos-operim në të kundërtën do të shqiptohen gjoba.
Kombibusët vazhdojnë operimin, ndërsa drejtoria e Shërbimeve Publike ka premtuar se ky problem do të zgjidhet deri në fund të vitit.