Chelsea ka hyrë në fazën e shitjeve këtë verë dhe, ndërsa shumë flitet për emra si Nicolas Jackson, Renato Veiga dhe Axel Disasi, disa lojtarë janë në një situatë më të paqartë – ndër ta edhe Armando Broja.
Sulmuesi shqiptar, i cili dikur shihej si një nga talentet më premtuese të akademisë së Chelseat, ka vuajtur nga dëmtimet e shpeshta, të cilat i kanë penguar zhvillimin dhe vazhdimësinë.
Huazimi tek Everton sezonin e kaluar ishte një tjetër hap i pafat: 13 paraqitje, pa gol apo asist.
Duket se tani është momenti që Broja të zbresë një nivel, të gjejë stabilitet dhe mbi të gjitha minuta loje.
Sipas “Chelsea News”, ai ka interes serioz nga katër skuadra jashtë Anglisë – të gjitha me potencial për t’i ofruar një ambient të qetë për t’u rilindur si lojtar.
Në Serie A, Parma kërkon zëvendësues për Ange-Yoan Bonnyn, i cili kaloi tek Inter.
Në Bundesligë, Stuttgart po përgatitet për largimin e mundshëm të Nick Woltemade drejt Bayernit, ndërsa RB Leipzig gjithashtu po monitoron situatën e Brojës.
Ndërkohë, në Eredivisie, PSV Eindhoven ka në kujtesë paraqitjet mbresëlënëse të Brojës gjatë huazimit te Vitesse disa vite më parë dhe po konsideron një ofertë për ta rikthyer në Holandë.
Në këtë fazë, më shumë se sa rëndësi ka destinacioni apo shuma e transferimit, qëllimi kryesor është që Armando Broja të gjejë ambientin e duhur për të luajtur rregullisht dhe për të shfrytëzuar talentin e tij. Ai është ende vetëm 23 vjeç dhe, me një hap të duhur në karrierë, mund ta lërë pas periudhën e vështirë dhe të ndërtojë një të ardhme të ndritur./GazetaExpress/