back to top
Thursday, August 28, 2025
BallinaLajmeKastrati: Rasti i spiunes serbe që u arrestua në Kroaci, dëshmon dështime...

Kastrati: Rasti i spiunes serbe që u arrestua në Kroaci, dëshmon dështime serioze të institucioneve të sigurisë në Kosovë

Të ngjajshme

Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe ish-deputeti i Kuvendit, Kadri Kastrati, ka reaguar pas arrestimit në Kroaci të një shtetaseje serbe, ish-punonjëse e UNMIK-ut dhe EULEX-it, e dyshuar për spiunazh.

Ai ka thënë se ky rast është shqetësues për Kosovën dhe jo për Kroacinë, pasi sipas tij, aktivitetet e saj kanë rrezikuar sigurinë kombëtare të Kosovës.

“Kjo zonjë, ish-punonjëse e UNMIK-ut dhe EULEX-it, ka pasur kontakte edhe me Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, sipas raportimeve në Kroaci. Kjo tregon se njerëz që punojnë në kabinetet e kryeministrit dhe ministrave ndoshta nuk kanë certifikata sigurie dhe nuk janë të verifikuar nga AKI. Kjo është një dëshmi se sistemi ynë i sigurisë nuk po funksionon si duhet dhe paraqet një rrezik të lartë”, ka deklaruar Kastrati për TV Dukagjini.

Ai ka shprehur dyshime se përmes lidhjeve të saj, e dyshuara ka raportuar për lëvizjet e KFOR-it, të Forcave Speciale dhe Policisë së Kosovës, si dhe për aktivitetet e institucioneve vendore.

“Unë po të isha kryeministër, do të kisha kërkuar menjëherë riverifikimin e të gjithë të punësuarve në kabinetin e kryeministrit dhe ministrave, sepse është e qartë që sistemi i sigurisë nuk po funksionon dhe AKI-ja nuk ka mbështetje të mjaftueshme politike”, ka theksuar ai.

Kastrati gjithashtu ka kërkuar që qeveria të angazhojë më fuqishëm Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), duke shtuar se përveç të huajve, edhe disa qytetarë shqiptarë mund të jenë të përfshirë në bashkëpunim me Serbinë.

“Është e domosdoshme që AKI të hetojë të gjithë ata që kanë lidhje me Serbinë dhe të sillen para drejtësisë, sepse përndryshe siguria kombëtare e Kosovës mbetet e rrezikuar”, ka përfunduar Kadri Kastrati.

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz