Kane po e negocion prej muajsh vazhdimin me Bayernin, kjo është situata

“Do të flasim javën e ardhshme ose atë pasardhëse. Të dyja palët janë shumë të qeta”.
Fjalët e Harry Kane për një vazhdim të mundshëm të kontratës me Bayern Munichun nuk e pasqyrojnë plotësisht realitetin.
Sepse klubi bavarez prej muajsh po përpiqet ta arrijë një marrëveshje për vazhdimin e bashkëpunimit, me një pagë pak a shumë të ngjashme me atë aktuale – rreth 13 milionë euro në vit – por duke e zgjatur kontratën të paktën edhe për një vit, me opsion për një sezon tjetër, pra të paktën deri në vitin 2028.
Kërkoi katër vite kontratë
Harry Kane, megjithatë, i kishte propozuar Bayern Munichut që ta rinovonte kontratën për tri sezone përtej afatit aktual, pra deri në vitin 2030, që realisht do të ishte Botërori i tij i fundit.

Lexo edhe“Jo faleminderit”, tifozja e Hoffenheimit refuzoi autografin e futbollistit Hlozek
Bayerni kishte hezituar dhe kështu gjithçka mbeti sërish e hapur. Ndoshta tani mund të arrihet një marrëveshje.
Pak a shumë në ngjashmëri me atë që ndodhi vite më parë me Robert Lewandowskin, është e qartë se Kane mund ta presë edhe përfundimin e kontratës dhe më pas të zgjedhë lirisht dhe qetësisht të ardhmen e tij.
Është folur për një transferim të mundshëm te Barcelona, por në mars ai e kishte shpjeguar kështu situatën:
“Unë nuk di asgjë për këtë. Babai im dhe vëllai im merren me këto gjëra, por ata nuk më kanë thënë asgjë. Jam shumë i lumtur këtu te Bayerni dhe plotësisht i përqendruar te ky sezon dhe te rrugëtimi im në Mynih. Nëse flitet për këtë, e marr si një kompliment”. /Gazeta Express














