Një ish-ministre qeveritare, një ish-trajner sportiv dhe një politikan i pavarur i së majtës do të garojnë për postin e presidentit të Irlandës.
Gara mes tre kandidatëve u konfirmua të mërkurën, kur u mbyll afati për dorëzimin e kandidaturave, pa arritur që ndonjë kandidat jashtë partive politike të zyrtarizohej në fletën e votimit.
Heather Humphreys, ish-anëtare e kabinetit qeveritar, do të garojë në emër të partisë qeverisëse qendër-djathtas Fine Gael.
Jim Gavin, ish-trajner i ekipit të Dublinit në futbollin gaelik, do të përfaqësojë partnerin e saj në koalicion, partinë qendrore Fianna Fáil.
Ndërkohë, Catherine Connolly, një politikane e pavarur dhe zë i fuqishëm pro-palestinez, mbështetet nga parti të vogla të së majtës dhe nga Sinn Féin, e cila nuk prezantoi një kandidat të vetin.
Zgjedhjet do të mbahen më 24 tetor dhe do të shënojnë fundin e mandatit 14-vjeçar të presidentit aktual Michael D. Higgins, i cili ka marrë si lëvdata ashtu edhe kritika për mënyrën se si e ka përdorur postin – që në thelb është simbolik – për të ngritur zërin për çështje globale, veçanërisht për Gazën.
Shumë figura të njohura, përfshirë Michael Flatley, Bob Geldof dhe luftëtarin e arteve marciale Conor McGregor – i cili ishte mbështetur publikisht nga Elon Musk – kishin shprehur interes për kandidim, por nuk arritën të siguronin mbështetjen e katër këshillave lokale ose 20 ligjvënësve, siç kërkon ligji për të hyrë në garë.
Manjati i industrisë farmaceutike Gareth Sheridan dhe aktivistja konservatore sociale Maria Steen nuk arritën për pak të përmbushnin pragun e nevojshëm. “Më vjen keq të them se nuk ishte e mjaftueshme dhe koha tashmë ka përfunduar,” tha Steen të mërkurën. Ajo shtoi se “uria e publikut për një kandidat alternativ” do të mbetet e paadresuar.
Disa analistë dhe komentues, përfshirë edhe liberalë që kundërshtonin pikëpamjet e Steen, kishin shprehur shpresën se ajo do të arrinte të futej në garë për t’i dhënë publikut më shumë zgjedhje.
Posti i presidentit në Irlandë dikur shihej si një pozitë formale për figura të vjetra të elitës politike, por fitorja befasuese e Mary Robinson në vitin 1990 hapi një epokë të re fushatash më të paparashikueshme, ku fokusi ishte më shumë te personaliteti i kandidatit sesa përkatësia partiake.
Një sondazh i 14 shtatorit, përpara se Sinn Féin të mbështeste zyrtarisht Connolly, i jepte asaj 17% të mbështetjes, pas Gavin me 18% dhe Humphreys me 22%. Analistët vlerësojnë se shumica e votuesve irlandezë i kushtojnë më shumë vëmendje zgjedhjeve presidenciale vetëm gjatë dy javëve të fundit të fushatës, kur mbahen edhe debatet televizive.
Të tre kandidatët janë përballur tashmë me polemika:
- Connolly, 68 vjeç, është kritikuar për një vizitë në Siri në vitin 2018, ku u takua me mbështetës të Bashar al-Assad, si dhe për një deklaratë të dhënë së fundmi për BBC, ku tha se Hamas është “pjesë e strukturës” së popullit palestinez – koment që shqetësoi partitë si Laburistët dhe Social Demokratët, të cilat e mbështesin fushatën e saj.
- Gavin, 54 vjeç, i cili hyn për herë të parë në politikë pas karrierës në sport, aviacion dhe ushtri, ka akuzuar rrjetet sociale për lejimin e “gënjeshtrave të papranueshme” dhe dezinformimit për të dhe familjen e tij. “Nuk do ta toleroj dhe as shoqëria nuk duhet ta tolerojë,” u shpreh ai.
- Humphreys, 62 vjeç, protestante nga qarku kufitar i Monaghanit, është pyetur për mungesën e njohurive në gjuhën irlandeze dhe për lidhjet historike të familjes së saj me Urdhrin Orange pro-bashkimit me Britaninë në Irlandën e Veriut. Ajo ka deklaruar se mbështet bashkimin irlandez, ndërsa mbështetësit e saj thonë se prejardhja protestante mund ta ndihmojë për të tërhequr vota nga komuniteti unionist i Irlandës së Veriut.