Kampionja olimpike Distria Krasniqi diplomohet në UBT, në Fakultetin e Shkencave të Sportit

Një prej emrave më të mëdhenj të sportit kosovar, Distria Krasniqi, ka shënuar një tjetër sukses të rëndësishëm në rrugëtimin e saj profesional, kësaj radhe në aspektin akademik. Kampionja olimpike është diplomuar në Fakultetin e Shkencave të Sportit dhe të Lëvizjes në UBT, duke dëshmuar se përkushtimi dhe disiplina e saj shtrihen përtej arenës sportive.
Nën mentorimin e Dekanit të Fakultetit të Shkencave të Sportit dhe të Lëvizjes, Agron Thaqi, Distria përfundoi me sukses studimet Bachelor në programin Shkencat e Sportit dhe të Lëvizjes, duke dëshmuar edhe një herë se suksesi në sportin elitar mund të shoqërohet me arritje të larta akademike.
Ky sukses pasqyron filozofinë e UBT-së për ndërtimin e profesionistëve të kompletuar, ku talenti, disiplina dhe edukimi bashkohen në një rrugëtim drejt ekselencës.
Programi Shkencat e Sportit dhe të Lëvizjes në UBT u ofron studentëve njohuri të avancuara në fushën e performancës sportive, aktivitetit fizik, menaxhimit sportiv dhe shkencave të lëvizjes, duke krijuar mundësi të shumta për zhvillim profesional në industrinë moderne të sportit dhe shëndetit.

Lexo edheTërmet me magnitudë 4 ballë në Shqipëri
Përveç medaljeve olimpike, titujve evropianë dhe sukseseve ndërkombëtare që kanë ngritur lart emrin e Kosovës në arenën botërore, Distria tashmë vjen edhe si model i përkushtimit ndaj edukimit universitar.

Nga UBT u vlerësua se historia e saj mbetet frymëzim për studentët, sportistët dhe të rinjtë, duke dëshmuar se përkushtimi ndaj dijes dhe sportit mund të sjellë rezultate të jashtëzakonshme në çdo fushë.














