Kampionia e Shqipërisë, Egnatia, ka pësuar një disfatë të rëndë mbrëmjen e së martës në Islandë.
Skuadra nga Rrogozhina u mposht me rezultat të thellë 5:0 nga Breidablik, në ndeshjen e kthimit të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Edhe pse Egnatia e kishte fituar ndeshjen e parë 1:0, në përballjen e dytë nuk pati asnjë mundësi për të përmbajtur epërsinë.
Brenda 30 minutave të para, islandezët realizuan tre gola, ndërsa të katërtin e shtuan në minutën e 38-të. Goli i pestë erdhi në minutën e 69-të, duke vulosur eliminimin e Egnatias nga kjo garë.
Ndërsa Drita dhe Shkëndija avancojnë në raundin e dytë të Championsit, Egnatia transferohet në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.