Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, së bashku me Ahmedin Shkrijel dhe Minela Kalender, kanë dorëzuar një kallëzim penal kundër kryetares së Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq, për veprën penale të “nxitjes së urrejtjes etnike, fetare dhe racore”,.
Ky veprim vjen pas një deklarate të Brnabiq gjatë një konference për shtyp më 30 korrik 2025, ku ajo tha: “Dhe dëgjuam thirrjen Allahu Ekber dhe gjëra të tjera të neveritshme”, duke iu referuar protestave në Novi Pazar. Sipas Kamberit, kjo deklaratë nuk është lapsus, por stigmatizim i qartë ndaj fesë islame dhe komuniteteve myslimane, përfshirë shqiptarët.
“Gjuha e urrejtjes nuk është vetëm çështje morali apo politike – ajo është çështje ligjshmërie dhe drejtësie,” theksoi Kamberi në reagimin e tij publik.
Ai shtoi se në një shtet që pretendon të ecë drejt integrimeve evropiane, nuk mund të tolerohen deklarata që nxisin frikë, ndasi dhe urrejtje.
Deputetët kërkojnë që prokuroria të hetojë Brnabiq sipas nenit 317 të Kodit Penal të Serbisë, që ndalon nxitjen e urrejtjes mbi baza kombëtare, racore dhe fetare.
“Ky veprim nuk është hakmarrje politike dhe as sensacionalizëm. Është një thirrje për drejtësi dhe për vendosjen e një precedenti që askush, pavarësisht pozitës, nuk është mbi ligjin,” deklaroi Kamberi.
Ai përfundoi se drejtësia nuk është privilegj i shumicës, por mburoja e të drejtave të secilit qytetar.