“Kam vepruar në gjendje afekti, i kërkoj…” – Zbardhet dëshmia e Gjestit para trupit gjykues

Këngëtari Besart Kelmendi, i njohur si Gjesti, para gjykatës ka deklaruar se veprimet për të cilat dyshohet i ka kryer në gjendje emocionale dhe ka kërkuar falje për rastin.
Gjesti ka kërkuar falje të dëmtuarit dhe gjykatës, duke thënë se gjithë veprimet e tij i ka ndërmarrë në afekt.
“Pajtohem me deklarimin e avokatit tim, dua ta njoftoj gjykatën se jam në ankth, kam vepruar në gjendje të afektit. I kërkoj falje gjykatës, prokurorit si dhe palës së dëmtuar”, ka deklaruar të ketë thënë Gjesti sipas dosjes së Prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.
Ndërkohë, mbrojtja e tij ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit, duke argumentuar se nuk ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Avokati i Kelmendit ka deklaruar se, sipas përvojës jetësore dhe psikologjisë, kur një person reagon në mënyrë impulsive, zakonisht pas një kohe të shkurtër nuk ekziston rreziku që veprimi i njëjtë të përsëritet.
Sipas tij, duhet të merret parasysh edhe fakti se për këtë rast është bërë bujë e madhe publike dhe se i dyshuari është në dijeni se ndaj tij po zhvillohet hetim.

Lexo edhe“Familjes së Gjestit nuk iu desh edhe kjo, shpresoj të lirohet”
Mbrojtja ka theksuar gjithashtu se, në bazë të nenit 159 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, i cili përcakton parimin e proporcionalitetit në caktimin e masave të sigurisë, paraburgimi nuk do të ishte masë proporcionale. Sipas Artan Qerkinit, avokat mbrojtës iGjestit, për dy veprat e para për të cilat dyshohet Kelmendi parashihet dënim deri në një vit burgim ose edhe gjobë.
Po ashtu, mbrojtja ka njoftuar gjykatën se klienti i tyre është i gatshëm të hyjë në marrëveshje për pranimin e fajësisë, duke theksuar se kjo do të zbutte rreziqet procedurale.
Avokati Qerkini ka shtuar se caktimi i paraburgimit do të rëndonte edhe gjendjen financiare të Kelmendit, duke theksuar se ai për një kohë nuk ka performuar për shkak të çështjeve familjare dhe nuk i ka marrë të hyrat nga kompania “Onima” në mënyrë të rregullt.
Sidoqoftë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur të caktojë masën e paraburgimit ndaj të pandehurit Besart Kelmedi – Gjestit i cili dyshohet për kryerjen e tri veprave penale.














