Ish-diplomati amerikan dhe ish-asistenti i Sekretarit të Shtetit për Punë Publike gjatë administratës së presidentit Bill Clinton, James Rubin, ka bërë të ditur se do të paraqitet javën e ardhshme si dëshmitar në Gjykatën Speciale në Hagë, ku po zhvillohet procesi ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, transmeton lajmi.net.
Në një intervistë gjatë një podcasti me gazetaren e njohur Christiane Amanpour, Rubin deklaroi:
“Javën tjetër do të jem në Evropë për të dëshmuar në Tribunalin Special për krimet e luftës në Kosovë. Si dikush që ka qenë pjesë e ekipit të Madeleine Albright dhe ka kontribuar në themelimin e tribunalit të parë për krime lufte, do të rikthehem në kohë dhe kam më shumë për të thënë në ditët në vijim.”
Në këtë proces gjyqësor, që po zhvillohet prej më shumë se pesë vitesh, po gjykohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Dëshmia e Rubin pritet të sjellë perspektiva të rëndësishme historike dhe diplomatike mbi kontekstin ndërkombëtar të luftës në Kosovë dhe rolin e Shteteve të Bashkuara gjatë asaj periudhe.
Vendimi përfundimtar në këtë rast pritet të jepet në fillim të vitit 2026, duke shënuar një moment kyç në rrugën e drejtësisë ndërkombëtare për Kosovën dhe rajonin./lajmi.net/
