Shkruan: Kadri Kryeziu
Përkundër faktit që është udhëheqës i agresionit të paprovokuar kundër Ukrainës, si dhe një kriminel lufte përgjegjës për mijëra viktima të pafajshme, Putin ia doli ta thyente izolimin e thellë nga bota perëndimore dhe në Alaska u prit me tapet të kuq. Një alarm për të gjithë se bota po rikthehet në ditët kur respektohej vetëm i forti dhe jo i drejti. Kur prapa vetes ke 6000 koka bërthamore si dhe je mjaftueshëm i krisur që t’i përdorësh ato, diskutimet etike, morale e filozofike thjesht bëhen të parëndësishme.

Në Alaska u fol për Ukrainën dhe Evropën, përderisa në tavolinë nuk ishte as Ukraina dhe as Evropa. Ato llafet, ja tani do i informoj me telefon, janë gjëra kot dhe pa domethënie. Përjashtimi i Evropës tregon që bota po rrëshqet drejt dinamikave të së shkuarës, ku për fatin e të tjerëve vendosnin vetëm superfuqitë e kohës. Dhe aktualisht superfuqi janë vetëm SHBA, Rusia dhe Kina.
Fuqitë tradicionale si Britania e Madhe, Franca, Gjermania ishin dikur, thjesht më nuk janë. Pas takimit, Putini e deklaroi hapur pozicionin e tij që nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme, pa një balancë të re të fuqisë në Evropë dhe në botë. Dmth, nëse nuk merremi vesh si të ndajmë sferat e interesit, një luftë e re e madhe është e pashmangshme.

Ky është hapi i parë në përmbysjen e rendit botëror, që ka dominuar që nga rënia e Murit të Berlinit, dhe që i ka favorizuar dhe përkëdhelur shtetet e vogla. Kam frikë që nga takimi në Alaska, Putini u largua si fituesi më i madh. Me mjeshtëri djallëzore ia doli t’i shmanget sanksioneve të reja amerikane, i papenguar po e vazhdon luftën, si dhe vendosi parakushte për një takim tjetër.
Aq e madhe ishte arroganca e ish agjentit të KGB-së saqë fare qetë deklaroi “shpresoj që Evropa dhe Ukrainë të mos na prishin punë”, pra ose pranim të kushteve të Putinit ose harrojeni paqen. Kulmi i djallëzisë së Putinit ishte demonstrimi i aftësive të tij për manipulim ekstrem kur, para Trumpit, tha që lufta në Ukrainë nuk do të niste sikur Trumpi të ishte President, diçka që Trumpi ka qejf ta thotë e ta dëgjoj. Pak rëndësi ka nëse kjo gjë është apo nuk është e vërtetë, e rëndësishme është që vendimmarrja tradicionale, bazuar në analiza vlerash dhe parimesh të përbashkëta, po perëndon. Në vend të kësaj po rikthehemi në kohën e diplomacisë së mesjetës ku vendimet merreshin edhe bazuar në cilësinë e dhuratave dhe fjalëve boshe por të bukura. Historia na mëson se, që nga fillimi i shekullit 19-të, nëpërmjet Rusisë, Serbia ka qenë e pranishme në tryezat e mëdha dhe ka fituar shumë prej tyre.
Duhet shtruar pyetjen, nëse bota përfundimisht rrëshqet përsëri tek ligji i të fortit, ne nëpërmjet kujt do të jemi të pranishëm në këto tryeza. Le ta kujtojmë pak historinë. E drejta gjithmonë ka qenë në anën tonë, por askush nga fuqitë e mëdha nuk është lodhur për të, derisa me një rënë të lapsit kanë vendosur në dëm të së drejtës tonë për të ekzistuar. E kanë bërë këtë sepse interesat tona nuk i prezantonte dhe nuk i mbronte askush, ishim thjesht monedhë për kusuritje. Sot, më shumë se kurrë, është domosdoshmëri që të lëmë mënjanë hatër mbetjet dhe ngatërresat tona të kota dhe të bashkohemi.
Të investojmë në fuqizimin e forcave tona të armatosura, të fuqizojmë lidhjet shtetërore e vëllazërore më Shqipërinë. Pos asaj me Kroacinë të krijojmë aleanca të reja në rajon dhe të intensifikojmë bashkëpunimin ushtarak me Turqinë, si fuqi dominuese rajonale. Dhe, më e rëndësishmja, të jemi shumë të kujdesshëm në kultivimin e raporteve dhe të miqësisë më SHBA-të. Një aleancë e fuqishme me SHBA-të është garancia e vetme që Kosova t’i mbijetojë paqartësive dhe rreziqeve që po lindin.