Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se “17 shkurti është jo vetëm ditë e madhe, por dita më e madhe e popullit të Kosovës”.
“Është data që ndan epokat, që i jep kuptim të kaluarës dhe të ardhmes. Në këtë ditë kthejmë shikimin nga e kaluara, për të nderuar ata që për një shekull nuk kursyen asgjë,madje as jetën”.
“Ata ishin luftëtarë si Isa Boletini, Hasan Prishtina, Shaban Polluzha që nuk u dorëzuan kurrë . Ata ishin veprimtarë e intelektualë që ndoqën vizionin e popullit”.
“Ata ishin studentë të vitit 1981-1990, ishin akademikët, arsimtarët, mjekët, minatorët. Ishte rezistenca jonë paqësore që u formësua me luftën e lavdishme të UÇK-së për të kthyer në realitet ëndrrën e popullit tonë për liri e shtet”.
Veseli në fjalën e tij në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës ka thënë se i përjetshëm do të jetë kujtimi për të gjithë ata që kanë sakrifikuar për lirinë e Kosovës, njofton Klan Kosova.
“Në këtë ditë feste e gëzimi, bashkë me qytetarët e Kosovës shprehim mirënjohje për botën demokratike në krye me SHBA-në, shtetet e BE-së dhe shtetet mike gjithandej botës”.
“Janë shtete që mbështetën kauzën tonë për liri, pavarësi dhe shtet. Aleanca e krijuar me këto vende për ne mbetet vlerë kombëtare. Ne kemi qenë, jemi dhe do të mbetemi shtet evropian, perëndimor sepse ky është shpirti dhe identiteti ynë”.
Veseli ka folur edhe për detyrat që përfaqësuesit e popullit kanë karshi tyre, njofton Klan Kosova.
“Ne, si përfaqësues të popullit duhet të bëjmë bilancin e punëve tona. A jemi duke ecur në drejtimin e duhur dhe çfarë po ndodh me ekonominë tonë?”.
“Ne nuk kemi punë tjetër dhe nuk ka nder më të madh se t’i shërbesh atdheut tënd. Kosova ka shënuar të arritura vendimtare dhe do të ishte e pandershme t’i nënvlerësojmë ato”.
I pari i Kuvendit ka përmendur edhe arritjet e Kosovës, duke vënë theksin tek arritjet e xhudistes, Majlinda Kelmendi.
“Ne jemi pjesë e shtëpisë botërore FIFA derisa sportistët tanë po shkëlqejnë në garat botërorë, dua ta falënderoj heroinën e Kosovës, Majlinda Kelmendi që lartëson flamurin e shtetit tonë. Ajo na ka bërë krenare të gjithëve”.