Legjenda e Chelseat, John Terry, ka reaguar për largimin e talentit premtues Rio Ngumoha drejt rivalëve të drejtpërdrejtë, Liverpool, duke vënë në pah cilësitë e jashtëzakonshme të 16-vjeçarit që po shkëlqen me ekipin nga Anfield.
Të mërkurën pasdite, Liverpool përmbylli turneun ndërkombëtar parasezonal me një fitore 3-1 ndaj ekipit japonez Yokohama F. Marinos në stadiumin “Nissan”.
Debutimet e blerjeve të reja si Hugo Ekitike, Florian Wirtz, Jeremie Frimpong dhe Milos Kerkez tërhoqën vëmendjen e tifozëve, por një emër tjetër që shkëlqeu ishte pikërisht adoleshenti Rio Ngumoha, i cili shënoi golin e tretë për Liverpoolin dhe konfirmoi edhe një herë talentin e tij të rrallë.

Pas ndeshjes, komentet e vjetra të John Terry-t për Ngumoha-n kanë qarkulluar sërish në rrjete sociale, duke treguar se legjenda e Chelsea-t e kishte parashikuar që në fillim ngritjen e shpejtë të talentit.
Ngumoha, i cili ka dalë nga akademia e Chelsea-t, iu bashkua Liverpool-it verën e kaluar. Pas disa paraqitjeve mbresëlënëse me ekipin U-18 të klubit të kuq, ai mori thirrjen e parë për të qenë pjesë e skuadrës së parë në dhjetor 2024, duke qenë në stol për ndeshjen e EFL Cup ndaj Southamptonit.
Ndërkohë që tifozët e Liverpool-it janë duke kuptuar gradualisht se sa i veçantë është ky lojtar, John Terry e kishte dhënë verdiktin e tij shumë më herët. Duke komentuar një postim të gazetarit të njohur të merkatos, Fabrizio Romano, i cili kishte konfirmuar kalimin e Ngumoha-s te Liverpool, Terry kishte shkruar:
“Ky djalë është dhe do të bëhet një lojtar i madh.”
Terry, i cili ka qenë trajner në akademinë e Chelsea-t, kishte punuar nga afër me Ngumoha-n dhe ishte i vetëdijshëm për potencialin e tij të jashtëzakonshëm. Më pak se një vit më vonë, duket se talenti i ri po e justifikon besimin e tij: në katër ndeshjet parasezonale të Liverpool-it, Ngumoha ka shënuar dy gola dhe ka dhënë një asist.

Ngumoha do të mbushë 17 vjeç në shtator, dhe pritet që forma e tij e mirë të shpërblehet me kontratën e tij të parë profesionale – e cila pritet ta mbajë në Anfield për të paktën tre vite të tjera.
Me largimin e Luis Diaz drejt Bayern Munich për një shumë që shkon deri në 65.5 milionë £ me bonuse të përfshira, parashikohet që Ngumoha të ketë më shumë hapësira në ekipin e parë gjatë sezonit të ardhshëm. Tifozët e “The Reds” tashmë presin me padurim të shohin se çfarë të ardhmeje i pret yllin e ri në fushën e blertë. /GazetaExpress/