Një postim entuziast i ministrit në detyrë të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i bërë më 15 shtator në rrjetet sociale, ku parashikonte fitore të lehtë dhe pa balotazh për kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje në Kaçanik, Jeton Raka, ka rezultuar krejtësisht i pasaktë.
Murati, njëherësh zyrtar i Vetëvendosjes, kishte shkruar se “Kaçaniku e paska të kryme punën e kryetarit” dhe se “Jeton Raka me shumë gjasë paska me shku pa balotazh”. Ai kishte shtuar se kjo do të ishte edhe më e lehtë për votuesit, “sepse dalin veç 1 herë me votu, e nuk lodhen në dy runde”, transmeton lajmi.net.
Megjithatë, rezultati i zgjedhjeve të 12 tetorit në këtë komunë tregoi një realitet krejt tjetër. Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Sabedin Vishi, doli i pari me 40.02% të votave (6,572 vota), duke e lënë pas Jeton Rakën e VV-së me 37.38% (6,139 vota). Diferenca mes tyre është mbi 400 vota.
Raka jo vetëm që nuk e arriti fitoren në raundin e parë, siç parashikonte Murati, por nuk arriti as të dalë kandidat më i votuar në këtë garë.
Zgjedhjet në Kaçanik tani shkojnë drejt balotazhit mes Vishi dhe Raka, ndërsa postimi i Muratit mbetet një shembull klasik i entuziazmit të parakohshëm në politikë./lajmi.net/