Jep dorëheqje drejtori i Trepçës, Ahmet Tmava

Menaxheri i përgjithshëm i Kombinatit ‘Trepça’, Ahmet Tmava, ka dhënë sot dorëheqje të parevokueshme nga pozita e drejtorit të kësaj ndërmarrje.
Ai gjatë një prononcimi për KosovaPress ka përmendur veç shqetësimeve tjera edhe ndërhyrjet e ministrit Valdrin Lluka, duke e privuar nga e drejta e ushtrimit të detyrave dhe përgjegjësive në këtë periudhë të tranzicionit.
“Duke marrë për bazë mosfunksionimin e Ligjit dhe vakumit ligjor për mosfunksionimin e organeve për mos zbatimin e këtij Ligji, si dhe ndërhyrjet e ministrit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe stafit të tij në mënyrë të padrejtë, duke më privuar nga e drejta e ushtrimit të detyrave dhe përgjegjësive në këtë periudhë të tranzicionit, sot më datë 12.03.2018, jap dorëheqje të parevokueshme nga pozita e menaxherit të Ndërmarrjes Trepça, duke besuar se stafi i tanishëm menaxhues do t’i përballojë sfidat e kohës”, ka thënë ai.
Lexo edheVucic së shpejti të organizojë referendum në Serbi për Kosovën
Tmava ka bërë të ditur se Trepça aktualisht është në pozitë të qëndrueshme financiare, ndërsa ka falënderuar të gjithë të punësuarit në këtë ndërmarrje për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm deri tani.
Ndryshe, drejtori Tmava kishte ardhur në pozitën e menaxherit të kësaj ndërmarrje që nga data 6 shkurt të vitit 2014.














