Analisti politik, Shemsi Jashari, ka komentuar listën e kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke theksuar se ministrat apo zyrtarët që nuk kanë treguar performancë të mirë gjatë mandatit ose janë përfshirë në skandale, nuk duhet të jenë në dhjetëshen e parë të listës.
Jashari ka përmendur ministren në detyrë të Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, dhe ish-ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, si dy prej këtyre emrave që sipas tij duhet të spostoheshin nga renditja kryesore e listës.
Ai ka thënë se një vendim i tillë do të dërgonte mesazhin se ata që nuk performojnë mirë mbahen përgjegjës.
“Lista e Lëvizjes Vetëvendosje duket e ngjashme me atë të kaluarën, por ajo që unë mendoj është se ministrat që gjatë mandatit të tyre nuk kanë treguar performancë të mirë dhe që janë përfshirë në një varg skandalesh, nuk duhet të jenë në dhjetëshen e parë të listës. Kemi parë performancë të dobët nga zonja Donika Gërvalla dhe një sulm të paprecedent nga ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ndaj sistemit të drejtësisë, ku vetë ka qenë përgjegjëse. Mendoj se ata nuk duhet të ishin në dhjetëshen e parë, për të dërguar mesazhin se ata që nuk tregojnë performancë të mirë do të mbahen përgjegjës, ndërsa ata që mund të sjellin rezultat më të mirë do të favorizohen. Për mendimin tim, asnjë subjekt politik nuk duhet të përfshijë në listat e tij ata që janë nën hetim, ata që kanë aktakuza apo që përballen me procese gjyqësore nën dyshime për keqpërdorim të detyrës dhe shkelje të tjera,” ka thënë Jashari.
Ai ka shtuar se renditja e kandidatëve në listat e partive politike reflekton qëndrimin dhe vlerësimin e organeve drejtuese ndaj secilit kandidat.
“Edhe pse çdo numër është i njëjtë legalisht, renditja tregon mbështetjen dhe qëndrimin e lidershipit ndaj kandidatëve dhe tregon se kush ka shans më të madh të jetë pjesë e ekipit fitues”, është shprehur Jashari në Tëvë1.
Një ndryshim i listës së LVV-së, sipas tij, është përfshirja e akronimeve të subjekteve partnere si Guxo dhe Alternativa, të cilat kërkuan të jenë të përfaqësuara në listë, duke e bërë atë një koalicion të hapur dhe jo vetëm listë të LVV-së.
“Unë mendoj se, pavarësisht marrëveshjeve që ka bërë LVV, ajo që ndryshon këtë herë nga hera e kaluar është se subjektet që janë pjesë e koalicionit me Kurtin, përfshirë Guxo dhe Alternativa e kanë detyruar Kurtin që akronimet e tyre të përfshihen në listë si pjesë e koalicionit, dhe jo vetëm si një listë e përbashkët me emrin LVV. Kështu, në fletën e votimit do të shohim edhe akronimet Guxo dhe Alternativa,” ka përfunduar ai.