Jakup Nura kërkon mobilizim institucional për Gjykatën Speciale: Kjo çështje nuk është vetëm e individëve, por prek historinë dhe dinjitetin e Kosovës
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Jakup Nura, ka kërkuar mobilizim institucional dhe angazhim të koordinuar të institucioneve të Kosovës lidhur me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në një deklarim në Kuvendin e Kosovës, Nura ka thënë se Gjykata Speciale është çështje që prek jo vetëm individët që po gjykohen, por edhe historinë, luftën çlirimtare, dinjitetin dhe shtetësinë e Kosovës.
Ai ka kritikuar, siç e ka cilësuar, vendosjen e kësaj gjykate në vend të fokusimit të përgjegjësisë për krimet e kryera nga Serbia gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.
“Duhet mobilizim institucional dhe përgjegjësi shtetërore. Kjo çështje nuk duhet të mbetet temë e deklaratave publike, por duhet të jetë angazhim i vazhdueshëm dhe i koordinuar”, ka deklaruar Nura.
Ai ka kërkuar që Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ta ketë këtë çështje ndër prioritetet kryesore, ndërsa diplomacia e Kosovës, në bashkëpunim me atë të Shqipërisë, të intensifikojë aktivitetin me partnerët ndërkombëtarë.
“Në veçanti, MPJD duhet ta ketë këtë çështje ndër prioritetet kryesore. Diplomacia e Kosovës, në bashkëpunim me atë shqiptare, duhet të jetë shumë më aktive, të shfrytëzojë të gjitha mundësitë diplomatike dhe të punojë vazhdimisht në informimin e partnerëve ndërkombëtarë për ndjeshmërinë e kësaj çështjeje”, ka thënë ai.
Sipas Nurës, kjo çështje kërkon bashkim institucional dhe tejkalim të dallimeve politike.
Lexo edheÇitaku deklarohet sërish: Ka marrëveshje për Ligjin për Specialen
“Ata që po gjykohen në Hagë nuk kanë aq shumë nevojë për ne sa vetë Kosova, sepse kjo nuk është çështje e individëve, por prek edhe historinë tonë, luftën çlirimtare, dinjitetin dhe shtetin e Kosovës”, është shprehur deputeti i PDK-së.
Nura ka përmendur edhe vizitën e ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, në Kosovë, duke thënë se ajo duhet të shërbejë si thirrje për një angazhim më serioz institucional lidhur me trajtimin e të burgosurve në Hagë.
“Vizita e djeshme e ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Jakup Krasniqi, shpërfaq një angazhim që duhet ta marrim seriozisht”, ka deklaruar ai.
Në fund, deputeti i PDK-së u ka bërë thirrje shqiptarëve kudo që ndodhen që të angazhohen për ngritjen e kësaj çështjeje në komunikimin me partnerët ndërkombëtarë.
“Kosova duhet të jetë e pranishme në çdo hapësirë ku mund të kontribuohet për të vërtetën e saj”, ka përfunduar Nura. /Lajmi.net/



