Nga 170 euro pritet të rritet në 250 euro paga minimale këtë vit në vendin tonë e cila është më e ulëta në rajon e më gjerë.
Derisa Këshilli Ekonomik Social, në fund vitin 2017 kishin vendosur që paga minimale të rritet në 250 euro dhe e cila në janar të vitit 2018 i ishte dërguar Qeverisë së Kosovës për aprovim tash mbi një vit atë e ka mbuluar pluhuri, por që kryeministri tashmë ka lëvizur nga vendi, duke kërkuar rritjen e pagës minimale.
Këshilltari i kryeministrit Musa Limani, tha për “SyriKosova”, se paga minimale paraqet minimumin e të ardhurave për një person përkatësisht një familje, e cila duhet të siguroi të mirat material ekzistenciale.
Sipas tij paga minimale si në çdo vend edhe tek ne duhet të bëhet në bazë të shportës së jetesës e cila llogaritet në bazë të indeksit të çmimeve me pakicë, ku përfshihen edhe artikujt ose të mirat materiale ekzistenciale si buka, vaji, sheqeri e tjera.
Sasia e këtyre të mirave materiale, llogaritet sipas standardeve ndërkombëtare për ti marr 2 mijë e 600 kalori në ditë. 63 euro i duhen në muaj një individi sipas standardeve ndërkombëtare dhe kjo vlerë për katër anëtarë të një familje del të jetë 250 euro edhe kjo duhet të ndodh edhe në Kosovë.
“Këtë vlerë do ta pranoi edhe qeveria në sektorin publik dhe ajo duhet të jetë obligative edhe për sektorin privat, për shkak se fjala është për të siguruar bazën material ekzistenciale”, tha Limani.
Ai mendon se edhe për sektorin privat paga minimale do të jetë e njëjtë si në atë publik. Ndërsa lartësia e pagës në sektorin privat duhet të caktohet në bazë të ofertës dhe kërkesës në tregun e punës.
Ligji i Pagave është miratuar dhe i cili pritet të hyj në fuqi në shtator dhe Këshilli Ekonomik Shoqëror apo Social, duhet të funksionoj, sepse shumë gjëra do të ngelin prapa. Së bashku me zbatimin e Ligjit të Pagave do të zbatohet njëkohësisht edhe paga minimale
Edhe kryeministri thotë se rritja e pagës minimale në vend, është një nga veprimet e domosdoshme që ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve.
Ai tregon se ka kërkuar nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Skender Reçica që menjëherë të riaktivizoj Këshillin Ekonomik Social, në mënyrë që të filloj diskutimi për pagën minimale në vend.
Kreu i ekzekutivit shtoi se qeveria e vendit, përkrahin fuqishëm rekomandimin e KES-it, për rritjen pagës minimale, e cila nuk ka pësuar rritje që nga viti 2011.
“Andaj, është shumë me rëndësi që edhe kjo pjesë e shoqërisë të përfitoj nga rritja ekonomike e vendit që ka ndodhur nga ky vit dhe ashtu siç kemi vendos rregull edhe në sektorin publik, përmes miratimit të Ligjit për Pagat”, tha Haradinaj
Sipas tij në këtë rrugëtim, do të merren në konsideratë dhe në shqyrtim të gjitha palët e nevojshme, në mënyrë që ky proces të finalizohet sa më parë.
Kryetari i Aleancës së Bizneseve Agim Shahini, tha për “SyriKosova”, se kanë bërë një hulumtim ku janë marr komponentët kryesore të pagës minimale, e cila ka rezultuar se në asnjërin variant ajo nuk mund të jetë mbi 200 euro.
Ai shtoi se sipas kësaj qeveria ka mundur të rrit pagën minimale vazhdimisht që nga 2017 e këndej deri në 4.4 për qind dhe tashmë ajo do të ishte mbi 200 euro e që nuk kishte nevojë të merrej as vendim qeveritar.
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura Avni Hajdini, tha për “SyriKosova”se me 28 dhjetor të vitit 2017 këshilli, unanimisht janë dakorduar që paga minimale në vend të jetë 250 euro dhe nuk ka pasur asnjë kundërshtim nga asnjëri nga anëtarët e këshillit në miratimin e saj.
Ai tha se më pas propozimi ka shkuar nga MPMS-ja për miratim në qeveri dhe e cila tash mbi një vit nuk e ka miratuar dhe faji bie mbi këtë institucion i cili po e prolongon rritjen e pagës.
“Fatkeqësisht jemi të brengosur për punëtorët, të cilët janë në gjendje shumë të rëndë dhe kanë pagat më të ulëtat në rajon”, tha Hajdini.
Këshilltarja e ministrit të Punës e Mirëqenies Sociale, Mimoza Kçiku, tha për “SyriKosova” se paga minimale prej 250 euro nuk është miratuar ende nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Sipas saj KES-i, pas miratimit të Udhëzimit Administrativ 09/2017, propozimit të Komisionit Profesional për Financa, Ekonomi dhe Privatizim, dakordimit të të gjithë anëtarëve të KES, unanimisht ka miratuar propozimin për rritjen e pagës minimale në vlerë prej 250 euro.
“KES, këtë propozim ia ka dërguar për miratim qeverisë me 11 janar të vitit 2018. Ky propozim për rritje të pagës minimale ende është në pritje të aprovimit”, tha Kçiku.
Sipas saj KES-i, aktualisht është në proces të përzgjedhjes së anëtarëve të rinj, që pritet të finalizohet së shpejti dhe në një nga mbledhjet e para të KES-it do të shqyrtohet paga minimale dhe do të nxjerrim një vendim ku do ti rekomandojmë përsëri qeverisë të ketë lëvizje, përkatësisht ngritje. B.T


