Pas dorëheqjes së deputetit Ramiz Kelmendi nga Kuvendi i Kosovës, i cili u emërua zëvendës kryeministër i Qeverisë, vendin e tij do ta zë Bajram Rexhepi nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të fundit dhe listës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Bajram Rexhepi ka vota 7 mijë e 372 vota ose pas Naim Baftiut, i cili zuri vendin e Fadil Demakut pasi dha dorëheqje dy ditë më parë.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) që udhëhiqet nga Kadri Veseli është partia që më së shumti po i ndërrohen deputetët, me arsyen se disa prej deputetëve që kanë fituar mandate në zgjedhjet e fundit po detyrohen të japin dorëheqje nga pozita e ligjvënësit për shkak të përpalljes me drejtësinë.
Pasi dorëzuan postin e deputetit kohë më parë, Rrustem Mustafa-Remi, Latif Gashi-Lata dhe Azem Syla, një gjë të tillë e ka bërë dy ditë më parë edhe deputeti Fadil Demaku, pasi që Gjykata e Apelit, konfirmoi dënimi prej tre vitesh burgim që ka dhënë Gjykata Themelore e Mitrovicës rastin e njohur si “Drenica II”.
Ndryshe, Bajram Rexhepi, ka pasur pozita të larta në vend, si kryeministër, deputet, kryetar komune në Mitrovicë dhe së fundmi i angazhuar në spitalin e Mitrovicës si mjek.
Ramiz Kelmendi, së fundmi ka vepruar si deputet i pavarur, pasi që pati dhënë dorëheqje nga Partia Demokratike e Kosovës pesë muaj më parë. Kelmendi para dy ditësh ka kaluar në LDK, parti kjo e cila ka emëruar sot Kelmendin zëvendës kryeministër.