Ushtria izraelite tha se ka kryer sulme ajrore që kishin për shënjestër udhëheqës të lartë të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Doha të Katarit më 9 shtator.
Katari, që ka qenë ndërmjetës kyç në përpjekjet për të arritur një armëpushim në Gazë, tha se sulmet ajrore izraelite shënjestruan shtëpitë e disa anëtarëve të byrosë politike të Hamasit në Katar, ku ka selinë udhëheqja e lartë e grupit.
“Për disa vjet, këta anëtar të udhëheqjes së Hamasit kanë udhëhequr operacionet terroriste të organizatës dhe janë përgjegjës të drejtpërdrejt të masakrës brutale të 7 tetorit 2023 dhe kanë orkestruar dhe menaxhuar luftën kundër shtetit të Izraelit”, tha ushtria izraelite përmes një njoftimi.
Katari, ndërkaq, e dënoi ashpër sulmin.
“Shteti i Katarit e dënon ashpër sulmin frikacak të Izraelit që ka shënjestruar ndërtesa banimi të disa anëtarëve të byrosë politike të Hamasit në Doha”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Majed al-Ansari përmes një postimi në X.
Sulmet e së martës – të parat që Izraeli ka kryer në Katar – u kryen më pak se dy javë pasi shefi i ushtrisë izraelite u zotua se do të shënjestrojë udhëheqësit e Hamasit që gjenden jashtë vendit.
“Shumica e udhëheqjes së Hamasit është jashtë vendit dhe ne do t’i shënjestrojmë edhe ata”, tha gjenerallejtënant Eyal Zamir më 31 gusht.
Së bashku me SHBA-në dhe Egjiptin, Katari ka udhëhequr dhjetëra përpjekje për t’i dhënë fund luftës mes Izraelit dhe Hamasit, që u nxit pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.
Pavarësisht dy armëpushimeve të përkohshme, një sërë rundesh pasuese të bisedimeve kanë dështuar që t’i japin fund luftës.
Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se operacioni në Katar u krye në “mënyrë krejtësisht të pavarur”.
Uashingtoni u bëri thirrje qytetarëve amerikanë në Doha që të strehohen në vende të sigurta.
Shefi i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ndërkaq e cilësoi sulmin si “shkelje flagrante” të sovranitetit të Katarit.
Irani, mbështetës kyç i Hamasit, e dënoi sulmin duke e cilësuar si “shkelje të rëndë të të gjitha rregullave ndërkombëtare, shkelje e sovranitetit të Katarit dhe integritetit territorial dhe sulm ndaj negociatorëve palestinezë”.
Jordania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe po ashtu e dënuan sulmin, me ministrin e Jashtëm jordanez, Ayman Safadi, që e cilësoi si “zgjatje të agresionit brutal izraelit që kërcënon sigurinë dhe qëndrueshmërinë e rajonit”.
Ndërkaq, homologu i tij nga Emiratet, sheiku Abdullah bin Zayed, shkroi në X se shteti i tij “qëndron në solidaritet me Katarin”.
Sulmi në Doha vjen në kohën kur Izraeli ka intensifikuar sulmet ndaj Qytetit të Gazës, qendrës më të madhe urbane në Rripin e Gazës.
Banorëve të këtij qyteti u është kërkuar që të evakuohen, teksa Izraeli po përgatitet për një ofensivë për marrjen e plotë të kontrollit të Qytetit të Gazës.
Izraeli veçse e mori kontrollin e 75 për qind të Gazës qysh në fillim të luftës, e cila shpërtheu pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 në Izrael, ku vrau rreth 1.200 njerëz dhe rrëmbeu 251 të tjerë, sipas shifrave izraelite. Autoritetet izraelite thonë se 20 nga 48 pengjet e mbetura në Gazë janë gjallë.
Lufta hakmarrëse e Izraelit ka vrarë mbi 64.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, ka zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë dhe rrënuar pjesën më të madhe të territorit. /REL