BallinaLajmeLajmet e FunditIzraeli ka frikë nga sanksionet, por a është BE-ja gati të veprojë?

Izraeli ka frikë nga sanksionet, por a është BE-ja gati të veprojë?

Nga: Martin Konečný / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Pas shumë muajsh mosveprimi dhe bashkëfajësie përballë shkatërrimit të Gazës nga Izraeli, Evropa më në fund ka filluar të lëvizë. Duket se nuk kishin mjaftuar dhjetëra mijëra njerëz të vrarë dhe sulmet ndaj shkollave dhe spitaleve. Por, bashkë me bllokimin e ndihmës humanitare dhe thirrjet e hapura për spastrim etnik, veprimet e Izraelit më në fund u bënë shumë të rënda për t’u injoruar, mohuar apo justifikuar. Në javët e fundit, një varg deklaratash të fuqishme, qortime diplomatike dhe kërcënime me sanksione kanë ardhur nga kryeqytetet evropiane – secila lëvizje duke forcuar tjetrën, sikur një tufë e fjetur papritmas të ishte zgjuar dhe vënë në lëvizje.

Ndër këto zhvillime, më i rëndësishmi mund të jetë pezullimi i mundshëm i marrëveshjes së asociimit BE-Izrael, e cila i jep Izraelit qasje të favorshme në tregun unik më të madh në botë. Muajin e kaluar, ministri i Jashtëm holandez, Caspar Veldkamp, theu heshtjen e BE-së me një letër ku kërkonte një rishikim zyrtar të përputhshmërisë së Izraelit me nenin 2 të marrëveshjes që kërkon “respektimin e të drejtave të njeriut”.

Për këtë ide, ky hap nxiti një valë mbështetjeje nga shtetet e tjera anëtare të BE-së. Në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së më 20 maj, një shumicë e qartë – 17 shtete anëtare – mbështetën propozimin holandez. Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e cila ishte shfaqur skeptike përpara takimit, gjatë diskutimit duket se ndryshoi qëndrim dhe në fund njoftoi qartë nisjen e rishikimit.

A është ky një moment i vërtetë kthese apo janë thjesht fjalë boshe? Kjo mbetet për t’u parë.

Ajo që është e qartë është se dinamika e BE-së ka ndryshuar. Një vit më parë, kur Spanja dhe Irlanda – qeveritë më të zëshme për çështjen palestineze – propozuan të njëjtin rishikim, ato patën pak mbështetje. Holanda, në anë tjetër, tradicionalisht është më afër Izraelit dhe pozicionohet në qëndrimin e mesëm brenda BE-së për këtë çështje. Është pikërisht kjo qendër e gjerë, që deri tani ka favorizuar dialogun dhe lidhjet e ngushta me Izraelin, që ka ndryshuar tani dhe është rreshtuar me krahun më kritik. Vetëm mbështetësit më të fortë të Izraelit – përfshirë Gjermaninë, Italinë, Hungarinë dhe Republikën Çeke – mbetën në pakicë duke votuar kundër rishikimit.

Rishikimi është vetëm hapi i parë: shqyrtimi nëse Izraeli po shkel nenin 2 që përcakton respektimin e të drejtave të njeriut si një “element thelbësor” të marrëveshjes. Duke pasur parasysh shkallën e shkeljeve dhe krimeve në Gazë dhe në Bregun Perëndimor, të dokumentuara nga gjykatat ndërkombëtare, një rishikim i tillë nuk do të duhej të ishte i nevojshëm. Siç u shpreh një aktivist irlandez: “Është si të qëndrosh përballë një ndërtese që digjet dhe të kërkosh një rishikim për të parë nëse ka zjarr”. Faktet janë të qarta.

Rishikimi, i cili pritet të përfundojë deri në takimin e ardhshëm të ministrave të Jashtëm të BE-së më 23 qershor, tani varet nga dy figura kyçe: Kallas dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. A do ta konfirmojnë qartësinë – që Izraeli po shkel nenin 2 – dhe a do të nxjerrin pasojat logjike? Apo, do të përpiqen ta mbrojnë lidhjen BE-Izrael nga çdo krisje?

Kallas, një liberale nga Estonia, deri vonë kishte shmangur çdo kritikë të fortë ndaj Izraelit, megjithëse tani duket se është rreshtuar me qendrën politike të BE-së. Von der Leyen, një demokristiane gjermane, përfaqëson krahun më pro-izraelit të bllokut. Ajo ishte fytyra e mbështetjes së pakushtëzuar fillestare të BE-së për përgjigjen shkatërruese të Izraelit ndaj mizorive të Hamasit më 7 tetor 2023, dhe më pas heshti pothuajse krejtësisht kur numri i civilëve të vrarë në Gaza rritej ndjeshëm. Por, javën e kaluar, për herë të parë, ajo deklaroi se vrasjet e civilëve nga Izraeli janë “të neveritshme” dhe “të pajustifikueshme sipas ligjit humanitar dhe ndërkombëtar”. Kjo gjuhë çon qartësisht në drejtim të përfundimi të vetëm të besueshëm që mund të nxjerrë rishikimi.

Pasi të përfundojë rishikimi, ministrat e Jashtëm të BE-së do të diskutojnë hapat e mëtejshëm që duhet të përfshijnë pezullimin e marrëveshjes së asociimit. Një pezullim i plotë do të kërkonte unanimitetin e 27 shteteve anëtare – një prag i paarritshëm për shkak të vendeve si Hungaria që janë kundër. Por, pezullimi i komponentit tregtar preferencial të marrëveshjes – pjesa më me peshë ekonomikisht – kërkon vetëm një shumicë të kualifikuar: 15 shtete që përfaqësojnë të paktën 65 për qind të popullsisë së BE-së.

Shtylla tregtare është aty ku qëndron ndikimi i vërtetë. BE-ja është partneri më i madh tregtar i Izraelit, duke përbërë 32 për qind të totalit të tregtisë së tij. Ndërkohë, Izraeli përbën vetëm 0.8 për qind të tregtisë së BE-së. Heqja e qasjes preferenciale nuk do ta ndalonte tregtinë, por do të vendoste një kosto të prekshme për Izraelin në formën e tarifave më të larta dhe qasjes më të kufizuar në treg. BE-ja gjithashtu mund të pezullojë pjesëmarrjen e Izraelit në Horizon Europe – programi kryesor i kërkimit shkencor të unionit – një mundësi që tashmë po shkakton shqetësim në sektorin akademik izraelit.

Arritja e shumicës së kualifikuar mbetet një sfidë. Jo të gjitha shtetet që votuan për rishikimin mbështesin domosdoshmërisht pezullimin real. Dhe, për të përmbushur pragun e 65 për qind të popullsisë, Gjermania ose Italia – shtete të mëdha që votuan kundër – do të duhej të ndryshonin qëndrim. Për momentin, kjo duket e pamundur. Por, nëse Izraeli vazhdon rrugën e tij ekstreme, presioni do të rritet. Qortimi jashtëzakonisht i ashpër i kancelarit Friedrich Merz ndaj Izraelit, javën e kaluar, tregon se as mbështetja e Berlinit nuk mund të merret si e mirëqenë.

Nëse BE-ja do të vendoste të injoronte përfundimet e një rishikimi të ndershëm, kjo do ta bënte nenin 2 pa kuptim dhe do të minonte vlefshmërinë e klauzolave për të drejtat e njeriut në marrëveshjet e saj me vendet e tjera. Që nga vitet 1990, BE-ja i ka përdorur këto klauzola mbi 20 herë për të pezulluar përfitimet për shkak të shkeljeve të rënda, kryesisht në Afrikë.

Kjo është arsyeja pse mundësia e pezullimit nuk mund të përjashtohet. Përveç nëse Izraeli ndryshon thelbësisht drejtim, gjasat për një pezullim vetëm do të rriten.

Për Evropën, ky është një rast për të dalë nga vetëmohimi i saj dhe për të rifituar rëndësinë e dikurshme. Dialogu pa presion ka dështuar plotësisht. Kur BE-ja mbajti një takim të Këshillit të Asociimit me Izraelin, në shkurt, dhe me edukatë kërkoi më shumë ndihmë për Gazën dhe ndalimin e zgjerimit të vendbanimeve, Izraeli u përgjigj duke bllokuar të gjitha ndihmat dhe duke përshpejtuar ndërtimin e vendbanimeve. Vetëm pasi nisma holandeze filloi të fitonte mbështetje, zyrtarët izraelitë filluan të shtynin nga brenda për lejimin e disa prej ndihmave në Gazë, duke përmendur kërcënimin e sanksioneve nga BE-ja.

Për të parandaluar tmerrin në horizont – spastrim etnik dhe aneksim – BE-ja duhet të shkojë më tej dhe t’i imponojë Izraelit një kosto reale ekonomike dhe politike. Nëse e bën këtë, perspektiva e rikthimit të përfitimeve të pezulluara mund të shndërrohet në mjetin më të fuqishëm të BE-së për të nxitur një rrugë tjetër: jo atë të shtypjes dhe dhunës së pafundme, por të paqes dhe sigurisë të bazuar në barazi. /Telegrafi/

- Advertisement -